Marrëdhëniet shqiptaro-maqedonase janë të brishta në Maqedoni

Maqedonia

Marrëdhëniet shqiptaro-maqedonase janë të brishta në Maqedoni

Më: 30 maj 2018 Në ora: 22:30
Pamje nga video

Shqiptarët dhe maqedonasit ende i kanë marrëdhëniet e brishta mes vete dhe për këtë gjë fajtor më i madh janë politikanët të cilët e nxehin gjakun e të dy palëve, sidomos gjatë fushatës politike. Kjo është konkluza e rrjetit “E kaluar e ndarë, ardhmëri e përbashkët” bazuar në disa ankesa të realizuara në fokus grupe. Sipas kësaj analize, Marrëveshja e Ohrit pas vitit 2001nuk e ka dhënë rezultatin e paqes, dhe kjo duket me polarizimin e vazhdueshëm gjatë viteve.

Sasho Dodovki, moderator.

“Një numër i madh i qytetarëve të anketuar problemin e shohin tek institucionet dhe politika. Tek liderët politik dhe retorika e tyre parazgjedhore, dhe në joprofesionalizmin e institucioneve. Por duhet theksuar se flasin edhe për sundimin e së drejtës që thonë se duhet të vlejë në mënyrë të barabartë për të gjithë. Kur vjen koha e fushatave, mënyra më e lehtë që të mobilizioni votues është nëpërmjet retorikës nacionaliste pasi njerëzi më së lehti bien në këtë. Por pas zgjedhjeve duket se kjo retorikë ngadalë shuhet shkaku i koalicioneve”

Dodovski thotë se gjatë gjithë viteve kur ka patur krizë politike, shoqëria ka qenë edhe më e brishtë dhe më e ndarë etnikisht dhe se Marrëveshja e Ohrit nuk e ka arritur qëllimin e saj. E dallon vetëm procesin e Revolucionit të Larmë kur bashkësi të ndryshme etnike kanë protestuar së bashku kundër pushtetit të atëhershëm.

Sipas Toshe Zafirovskit nga Instituti Progres,politikanët duhet ta ruajnë gjuhën dhe të ndihmojnë në përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike por apeloi edhe deri tek mediumet që të mos transmetojnë lajme me natyrë ndarëse dhe urrejtjeje.

Toshe Zafirovski, Instituti Progres

“Ka shumë mënyra dhe hapësirë për të përmirësuar marrëdhëniet ndëretnike. Mendoj se edhe në projektet e ardhshme por edhe në vazhdimin e këtij projekti do të jepet kontribut në tejkalimin e këtij problemi. Por institucionet shtetërore dhe individualisht çdo qytetarë duhet të ndikojë në përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike, përfshirë këtu edhe marrëdhëniet mes dy etnive më të mëdha në shtet…Shkaqet janë të natyrës së ndryshme. Edhe shkaku i politikanëve të pa arsyeshëm por edhe shkaku i personave vendimmarrës të pandërgjegjshëm”

Të anketuarit nga rrjeti “E kaluar e ndarë, e ardhme e përbashkët”kanë treguar forma të ndryshme në shoqëri ku duket ndarja dhe polarizimi mes dy etnive më të mëdha në shtet. Sipas anketës, ndarje ka në punësime, në biseda, në vendbanime, parti politike e të tjerë, por se pa marrë përgjegjësi individuale çdo qytetarë, kjo situatë nuk mund të tejkalohet pasi politikës i shkon në favor një gjendje e tillë e cila pastaj liron terrenin për manipulime më të lehta. Anketuesit kanë propozuar përmirësimin e modelit të shkollimit dhe investimin në lëndë dhe biseda për bashkëjetesën dhe gjërat e përbashkëta, por edhe në zhvillimin ekonomik, pasi kanë thënë se vetëm kështu ata nuk do të ishin të brishtë ndaj retorikave nacionaliste.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat