Sulmohen inspektorët e arsimit në Strugë

Maqedonia

Sulmohen inspektorët e arsimit në Strugë

Më: 6 qershor 2018 Në ora: 16:42
Ilustrim

Dy inspektorë të arsimit janë sulmuar verbalisht pasi janë penguar të kryejnë inspektim në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës.

Inspektimi është iniciuar me kërkesë të vetë universitetit, por përsëri ai nuk është lejuar të realizohet kurse inspektorët thonë se janë kërcënuar, sharë dhe ofenduar.

Rastin e kanë paraqitur në policinë e Strugës dhe paralajmërojnë padi penale ndaj universitetit. Pengesa, siç thonë ata, është bërë nga vetë rektori dhe kreu i bordit drejtues të UNS-së Armend Kadriu.

“Nga ana e personit përgjegjës Armend Kadriu, nuk na u lejua që ta kryejmë atë aktivitet profesional, inspektim të jashtëzakonshëm. Filluan me shumë ofendime, kërcënime verbale, sharje dhe gjithçka të ngjashme. Në një situatë të këtillë, meqë nuk ishim në gjendje ta kryejmë detyrën zyrtare, në u drejtuam në stacionin policor”, tha Gjorgjija Ilijovski, inspektor shtetëror i arsimit.

Alsat pyeti në Inspektoratin e arsimit nëse dy inspektorët kanë respektuar proceruat ligjore përpara se të bëjnë vëzhgimet në terren. Nga ky organ sqarojnë se

UNS-ja lëshoi kërkesë për të bërë inspektim të serishëm në këtë universitet. Kolegët me autorizim të drejtorit të inspektoratit i kanë lajmëruar universitetit me telefon por jo edhe me shkresë zyrtare për ditën dhe kohën e inspektimit – pohojnë nga Inspektorati i arsimit.

Dy inspektorët nga terreni thonë se nuk është hera e parë që në këtë universitet, inspektimi u është bërë i pamundur. Si arsye, ata theksojnë një numër të madh të parregullsive dhe shkeljeve që kanë evidentuar gjatë inspektimeve të mëhershme dhe të cilat nuk janë mënjanuar nga universiteti edhe përskaj afatit që i është dhënë.

Inspektorët thonë se në të ardhmen, do të jenë të detyruar të kërkojnë përforcim policor, kur të duhet të vëzhgojnë nga afër punën e UNS-së.

Alsat arriti të kontaktojë me organet më të larta të Universitetit Ndërkombëtar të Strugës por ata refuzojnë të prononcohen publikisht për rastin. Në publik, universiteti njihet për lidhjen me kreun e Strugës Ramiz Merko edhe pse zyrtarisht nuk ekzistojnë të dhëna për këtë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat