Matura Shtetërore nën mbikëqyrje të dy mijë arsimtarëve

Maqedonia

Matura Shtetërore nën mbikëqyrje të dy mijë arsimtarëve

Më: 11 qershor 2018 Në ora: 18:34
Ilustrim

 Rreth 15 mijë maturantë iu nënshtruar të shtunën provimeve të gjuhës amtare, respektivisht lëndëve nga gjuha dhe letërsia maqedonase, gjuha dhe letërsia shqipe dhe gjuha dhe letërsia turke varësisht asaj se në cilën gjuhë e kanë zhvilluar mësimin, shkruan gazeta KOHA. Në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH) thonë se provimet kanë nis në kohë dhe se nuk janë shënuar probleme që eventualisht do të dëmtonin procesin. Sikurse dihet, në Maqedoni dhënia e provimeve të Maturës Shtetërore është kusht për vijim e shkollimit të mëtutjeshëm dhe për këtë arsye, thuajse të gjithë ata që mbarojnë shkollën e mesme i nënshtrohen këtij procesi. Notimi për tre provimet e Maturës Shtetërore bëhet nga një komision i jashtëm, për çka njihen ndryshe edhe si provime eksterne të Maturës, ndërsa në rast pakënaqësie nxënësit kanë të drejtën e parashtrimit të ankesave të cilat duhet të shqyrtohen në afat prej 15 ditë nga dita e dorëzimit të tyre në Qendrën Shtetërore të Provimeve (QSHP)

Provimet nga lënda e maqedonishtes, shqipes dhe turqishtes (pra gjuhëve në të cilat zhvillohet mësimi) janë të detyrueshme dhe pa mundësi zgjedhje, si në rastin e provime tjera. Për afatin e qershorit, sipas numrit të provimeve të paraqitura, verifikimit të dijeve në lëndën e maqedonishtes iu nënshtruan 10.119 nxënës, në lëndën e shqipes 4.474 dhe në gjuhën turke 373 nxënës. Edhe pse jo të gjithë maturantët i akne paraqitur provimet në afatin e qershorit dhe jo të gjithë zgjedhin maturën shtetërore, prapë se prapë numrat në fjalë konfirmojnë përqindjet e përgjithshme të pjesëmarrjes së nxënësve në shkollat e mesme sipas gjuhës në të cilën  e zhvillojnë mësimin. Në informacion që ka përgatitur QSHP për provimet që u mbajtën të shtunën thuhet se 67.5 për qind e provimeve ishin në lëndën e gjuhës maqedonase, 30 për qind në gjuhën shqipe dhe 2.5 për qind në gjuhën turke. “Më 9 qershor u realizua pjesa me detyrim e provimeve të Maturës shtetërore në të gjitha shkollat publike dhe në një pjesë të shkollave private për nxënësit e gjimnazeve, shkollave të artit dhe arsimit të mesëm profesional me kohëzgjatje katërvjeçare.  Për këtë provim ishin paraqitur 14.966 kandidatë. Prej tyre 67.5 për qind iu nënshtruan provimeve në lëndën e gjuhës dhe letërsisë maqedonase, 30 për qind në lëndën e gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe 2.5 për qind në lëndën e gjuhës dhe letërsisë turke”. Provimet, thuhet më tej, në të gjithë vendin u mbajtën në përputhje me të gjitha rregullat dhe procedurat përkatëse, pa asnjë problem. Për të ndjekur ecurinë e procesin ishin përfshirë anëtarët e komisioneve shkollore të maturës si dhe rreth 2000 testues-arsimtarë, të trajnuar për këtë qëllim si dhe 180 mbikëqyrës të autorizuar nga QSHP-ja, BZHA-ja dhe QAPT-ja. Të gjitha provimet nisin në ora 10.

Nesër do të realizohen provimet nga lista e lëndëve zgjedhore, apo provimet e treta për të cilat nxënësit janë përcaktuar paraprakisht: biologji, kimi, fizikë, histori, biznes, filozofi dhe estetikë. Në nivel shteti në këto provime interesimi më i vogël është treguar për fizikën, të cilën e kanë paraqitur vetëm 100 nxënës edhe atë 94 maqedonas dhe 6 shqiptarë, kurse më shumë për lëndën e biznesit (3993) dhe biologjisë (3737). Të mërkurën, më 13 qershor, do të mbahen provimet nga lënda e matematikës e që janë njëra pjesë e provimeve të dyta të Maturës shtetërore. Nxënësit kishin mundësi të zgjedhin provim mes matematikës dhe lëndëve të gjuhëve të huaja të cilat u organizuan të shtunën e javës së shkuar. Për provimin e matematikës do të jenë 1.926 nxënës, prej të cilëve 1.728 maqedonas, 164 shqiptarë dhe 34 turq. Të krahasuara me numrin sipas gjuhëve në të cilat zhvillojnë mësimin, i bie që në masë më të madhe ta shmangin këtë provim shqiptarët, pasi i bie që vetëm 3.7 për qind e atyre që kanë provim gjuhën shqipe ta kenë provim edhe matematikën. Të maqedonasit kjo përqindje është më e lartë (17 për qind), kurse te turqit 9 për qind. Në nivel të gjitha shkollave të mesme, numri i atyre që paraqesin matematikën si provim mature nuk është as 13 për qind. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat