Kuvendi nuk publikon kandidatët për anëtarë të KSHZ-së

Maqedonia

Kuvendi nuk publikon kandidatët për anëtarë të KSHZ-së

Më: 18 qershor 2018 Në ora: 17:07
Ilustrim

Asnjë informacion nuk shpërndahet nga Kuvendi sa u takon kandidatëve për anëtarë të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Konkursi publik ka përfunduar që në 12 qershor dhe ka pasur dy ditë kohë shtesë për kandidaturat që kanë arritur me postë në adresë të Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime. 

Kreu i komisionit Ilija Dimovski është i pakapshëm për të publikuar kandidatët, madje që nga java e kaluar nuk u është përgjigjur thirrjeve rreth kësaj. Megjithatë Alsat jozyrtarisht mëson se bëhet fjalë për rreth 40 kandidatura. Mes tyre mund të ketë edhe ish anëtarë nga përbërja paraprake edhe pse gjasat që të rizgjidhen janë të pakta për shkak të dorëheqjeve që bënë. Mes kandidatëve janë edhe të punësuar në administratën e këtij institucioni. Anëtarët duhet të zgjidhen deri nga fundi i muajit, që institucioni i zgjedhjeve të mund të organizojë në kohë referendumin për emrin.

KSHZ-ja si institucion për organizimin e zgjedhjeve do të jetë kompetent edhe për referendumin. Ekspertët disa herë kanë deklaruar se ky proces është madje më i komplikuar se zgjedhjet. Por nga KSHZ-ja thonë se është e kundërta, gjegjësisht referendumi nga aspekti adminsitrativ është më i thjeshtë për t’u organizuar. Data e mbajtjes së referendumit nuk është bërë akoma e ditur.
Duke marrë për bazë deklaratën e kryeministrit Zaev se Referendumi planifikohet për në fund të shtatorit ose fillimin të tetorit, në dispozicion mbeten dy data, 30 shtatori dhe 7 tetori.

Ligji për referendum

– Nga dita e publikimit të vendimit për shpalljen e referendumit në nivel shtetëror në Gazetën Zyrtare, deri në ditën e mbajtjes së referendumit nuk mund të kalojnë më pak se 60 dhe as më shumë se 90 ditë.

– Kuvendi është i obliguar që në afat prej 30 ditësh nga dita e dorëzimit të propozimit për referendum, të sjellë vendim për shpalljen e referendumit.

– Vendimi për shpalljen e referendumit në nivel shtetëror publikohet në Gazetën Zyrtare dhe në mjete të tjera për informim publik.

Në rast se eventualisht referendumi mbahet në datën 7 tetor, atëherë 9 korriku është afati optimal për shpalljen e tij. Kjo nënkupton se tashmë ka filluar të rrjedhë afati 30 ditor për propozimin e tij në Kuvend. Nga qeveria thonë se në seancën e ratifikimit të marrëveshjes nuk është biseduar aspak për referendumin. Afati minimal për shpalljen e referendumit, gjegjësisht 60 ditët e fundit para realizimit të tij më 7 tetor, fillojnë të rrjedhin më 8 gusht.

Partitë politike aty-këtu kanë filluar përgatitjen e terrenit për këtë akt zgjedhor. Hristijan Mickoski, në marshin e një dite më parë kundërshtoi marrëveshjen me Greqinë por në asnjë moment nuk përmendi referendumin. Partia GDOM nga ana tjetër, ka njoftuar se do ta bojkotoi atë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat