Ka strategji, por edhe skepticizëm

Maqedonia

Ka strategji, por edhe skepticizëm

Më: 22 qershor 2018 Në ora: 21:38
Ilustrim

Papunësia e të rinjve shënon rënie në Maqedoni – nga 50 për qind në 35.9 për qind në tremujorin e parë të këtij viti. Mirëpo, shifrat vazhdojnë të sfidojnë realitetin edhe përkundër masave të ndryshme qeveritare për zbutjen e problemit të papunësisë së të rinjve, dhe për rrjedhojë ende mbeten shumë punë për të bërë në këtë drejtim, shkruan gazeta Koha.

Sipas Organizatave rinore në vend, ekzistojnë më shumë shkaqe, si objektive ashtu edhe subjektive, që ndikojnë në krijimin e një ambienti antisocial, ku papunësia e të rinjve është shenja dalluese e këtij ambienti.

“ Në këtë problem madhor që e preokupon Maqedoninë në 25 vitet e fundit, ndikojnë më shumë faktorë, duke filluar nga sistemi arsimor që nuk i përgatit të rinjtë të dalin në tregun e punës, por edhe mungesa e gatishmërisë së rinisë që të fitojë më shumë kompetenca dhe shkathtësi përmes sistemit joformal të arsimit. Gjithashtu edhe kur të rinjtë punësohen, ballafaqohen me mosgarantimin e të drejtave të punëtorëve dhe jostabilitetin financiar”, thotë Ilija Stankovski , nënkryetar i Këshillit Kombëtar Rinor të Maqedonisë.

Sipas tij , edhe pse Maqedonia ka miratuar strategji të ndryshme dhe po realizon edhe masa të ndryshme për uljen e papunësisë së të rinjve, megjithatë shtresa me potencial më të madh në shoqëri mbetet skeptike lidhur me realizimin e tyre si dhe dyshon se ato do të japin rezultatet e duhura.

Në ndërkohë, nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale thonë se Maqedonia ka arritur të ulë papunësinë e të rinjve në afër 36 për qind , si rrjedhojë e planeve strategjike qeveritare 2012-2015 për punësimin e të rinjve si dhe më shumë masave të tjera, ndërsa është përgatitur edhe plani i ri 2012 -2016 për këtë çështje. Pritet që edhe masa e re, garancia rinore ku shteti për një periudhë të caktuar do të financojë pagat e të rinjve që kanë kryer shkollimin dhe janë të gatshëm të trajnohen apo të punësohen në mënyrë të përhershme, të ulë më tej papunësinë rinore..

“Krahas masave të ndryshme për uljen e papunësisë së të rinjve, prej sivjet starton edhe pilot projekti – garancia rinore në Shkup, Gostivar dhe Strumicë, që në vitin e ardhshëm pritet të përfshijë tërë Maqedoninë. Sfidë në të ardhmen mbetet edhe përfshirja në programe të ndryshme dhe e 100 mijë të rinjve të moshës 15 deri 29 vjeç që nuk janë evidentuar askund , dhe nuk janë të punësuar”, thotë Mladen Fërçkovski, këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Çështjes Sociale. Sipas tij, në të ardhmen nevojitet një angazhim më i madh i Ministrisë së Arsimit lidhur me arsimin joformal professional, si dhe nevojitet inkuadrimi i organizatave joqeveritare në procesin e uljes së papunësisë rinore .

Ndryshe, papunësia rinore si problem e mundon gjithë rajonin andaj edhe përfaqësues të organizatave rinore janë inkuadruar në Iniciativën e organizatave të shoqërisë civile të Ballkanit Perëndimor, lidhur me punësimin më të madh të të rinjve.

Nisma fokusohet në fuqizimin e organizatave të shoqërisë civile për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe propozimin e ndryshimeve në politikat e punësimit dhe punësimit të të rinjve të gjashtë vendeve në Ballkanin Perëndimor. Në kuadër të kësaj iniciative, planifikohet të formohet forumi kombëtar dhe rajonal për temat e punësimit, të mësuarit si të jesh sipërmarrës dhe sipërmarrjes së të rinjve, pastaj trajnimet për angazhim aktiv për ndryshimin e politikave, mbështetjen financiare për organizatat e shoqërisë civile në zbatimin e iniciativave lokale të punësimit dhe krijimin e një platforme interneti për të gjetur më lehtë punë të dedikuar për të rinjtë në rajon.

Koordinatori kryesor i kësaj iniciative është Shkolla e Hapur e Beogradit, ndërsa partnerët e projektit, përveç Institutit për Zhvillimin e Rinisë KULT nga Sarajeva , janë Shoqata për Prosperitet Demokratik – ZID (Mali i Zi), OJQ Lens (Kosovë), Shoqata Përtej Barrierave (Shqipëri) Këshilli rinor i Maqedonisë dhe Qendra Ndërkombëtare Olof Palme (Suedi).Projekti është përkrahur nga Komisioni Evropian, dhe do të zgjasë deri më vitin 2020.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat