Maqedonia në NATO?! Stoltenberg: Pranimi varet nga referendumi

Maqedonia

Maqedonia në NATO?! Stoltenberg: Pranimi varet nga referendumi

Më: 26 qershor 2018 Në ora: 08:47
Jens Stoltenberg

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi të hënën se pret nga liderët e shteteve të Aleancës, që në samitin e korrikut të marrin një vendim për fillim zyrtar të negociatave mbi anëtarësimin e plotë të Maqedonisë në NATO.

Stoltenberg pret të arrihet një pëlqim që Maqedonia të ftohet për anëtarësim të plotë, megjithatë thotë se që kjo të ndodhë, do të duhet zbatimi plotë i marrëveshjes me Greqinë, më saktësisht pranimi i marrëveshjes në referendumin e vjeshtës.

“Pres që krerët e shteteve dhe të qeverive, të dakordohen për negociatat për pranim, pastaj do të mund të ftojmë Maqedoninë të bëhet anëtare e plotë, me kusht që Marrëveshja të finalizohet. Finalizimi do të thotë ratifikim i plotë, referendum dhe votim pozitiv”, tha Stoltenberg.

Ai shtoi se dështimi i referendumit, do të thotë që Maqedonia të mos marrë ftesë për anëtarësim në NATO.

“Nëse Marrëveshja nuk merr përkrahjen, nuk shoh një mundësi për vendin. Ky është një rast i veçantë që duhet të përqafohet”, tha Stoltenberg.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat