Në Universitetin "Kirili dhe Metodij", vetëm 1% shqip

Maqedonia

Në Universitetin "Kirili dhe Metodij", vetëm 1% shqip

Më: 1 korrik 2018 Në ora: 17:46
Ilustrim

Shqiptarët apo studimet në gjuhën shqipe në kuadër të Universitetit “Kirili dhe Metodi” në Shkup (UKM) vazhdojnë të jenë në margjinat e këtij universiteti, i cili është më i madhi dhe më vjetri me karakter publik në Maqedoni.

Jo vetëm në kuadër të numrit të përgjithshëm të vendeve për regjistrimin e studentëve të rinj, por edhe në kuadër të fakulteteve të veçanta sikurse janë ai i gjuhëve dhe i pedagogëve, vendet për studime në gjuhën shqipe përbëjnë pakicën. Në rrafshin e përgjithshëm, studimet në gjuhën shqipe në UKM përbëjnë vetëm 1 për qind, ndërsa është diçka më e lartë përqindja në kuadër të Fakultetit Filologjik “Bllazhe Koneski” dhe Fakultetin Pedagogjik “Klimenti i Ohrit”.

Kështu, nëse në nivel të gjitha fakulteteve të U&KM_së për vitin akademik 2018/2019 janë caktuar 11.661 vende, për studime në gjuhën shqipe janë rezervuar vetëm, 145 vende. E llogaritur në përqindje, këto vendet për studime në gjuhën shqipe nuk përbëjnë më tepër se 1.2 për qind në nivel të universitetit, gjë që flet qartë për qasjen egocentrike të UKM-së përballë organizmit të studimeve në gjuhën të cilën flasin mbi 25 për qind e popullatës në vend. Përveç përqindjeve simbolike në këtë universitet është i limituar edhe numri i drejtimeve. Kështu në Fakultetin Filologjik “Bllazhe Koneski” (FBK) ka vetëm dy programe studimore në gjuhën shqipe dhe po kaq edhe në Fakultetin Pedagogjik “Klimenti i Ohrit” (FKO). Në FBK në mënyrë konstante shqipja studiohet në kuadër të vendeve që ndahen për Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.

Prej 15 vite këtu nuk ndryshojnë kuotat, 55 vende në drejtimin e pedagogëve dhe 30 vende në drejtimin e përkthyesve, që gjuhë amtare akne gjuhën shqipe. Janë edhe 30 vende tjera përkthyesish, po në këtë katedër, por për studentë që nuk e kanë shqipen gjuhë amtare. Në nivel fakulteti, për studime në gjuhën shqipe sigurohen vetëm 7.8 për qind të vendeve caktuar në FBK (1.085). Më e lartë, por jo sa do të duhej është përqindja e studimeve në gjuhën shqipe në kuadër të FKO-së. Nga 390 vendet e planifikuara për drejtimet e mësuesve, edukatorëve dhe bibliotekistëve për studimet në gjuhën shqipe ka vetëm 60 vende ose 15 për qind (edhe atë 30 vende për drejtimin e mësuesve dhe 30 për drejtimin e edukatorëve). Ndërkaq, për programin studimor të bibliotekistëve nuk ka asnjë vend për studime në gjuhën maqedonase.

Ndryshe ndodh me universitete që gjuhë të parë studimi e kanë gjuhën shqipe. Si Universiteti i Tetovës, ashtu edhe Universiteti i Evropës Juglindore apo edhe Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup janë shumë herë më të hapur ndaj gjuhës maqedonase. Studimet në këtë gjuhë te këto universitete përbëjnë rreth 10 për qind, duke lënë në këtë mënyrë shumë prapa universitetet publike maqedonase. Në universitetet “Klimenti i Ohrit” në Manastir, “Goce Dellçev” në Shtip apo “Shën Apostoli” në Ohër as bëhet fjalë për studime në gjuhën shqipe.

Numri i studimeve në gjuhën shqipe është thjeshtë zero edhe pse nuk është i vogël numri i shqiptarëve që studiojnë në këto universitete dhe pavarësisht faktit se në njësitë rajonale ku veprojnë ato universitet ka numër të konsiderueshëm të vendbanimeve shqiptare. Mirëpo deri tani as universiteti i Ohrit, ai i Manastirit dhe as i Shtipit nuk e kanë parë të arsyeshme të dalim me oferta studimi në gjuhën shqipe. UKM-ja edhe pse i ka si numër nuk e ka kushedi sa e larmishme ofertën e studimeve në gjuhën shqipe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat