Vuçiq: Marrëveshja mes Shkupit dhe Athinës është lajm i mirë për gjithë rajonin

Maqedonia

Vuçiq: Marrëveshja mes Shkupit dhe Athinës është lajm i mirë për gjithë rajonin

Më: 5 korrik 2018 Në ora: 08:43
Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, në konferencë për shtyp në mbledhjen e “Katërshes së Ballkanit” në Selanik me kryeministrat e Greqisë, Bullgarisë dhe Rumanisë, tha se në kushte kur BE nuk vepron njëjtë, këto katër vende veprojnë në mënyrë të barabartë dhe zgjidhin problemet në këtë pjesë të Ballkanit.

Në këtë kontekst ai iu referua edhe marrëveshjes për zgjidhjen e çështjes së emrit mes Shkupit dhe Athinës.

“Asnjëherë nuk jam përzier në çështjet e brendshme të asnjë shteti dhe kështu as në çështjen e emrit të fqiut tuaj verior. Por, pa dyshim se në Serbi, për çdo qytetar i cili sheh se dy palë që kanë pasur kundërshtime kanë arritur marrëveshje, është lajm i mirë, lajm i mirë për gjithë rajonin. Do të doja që në këtë mënyrë të vazhdojë edhe në të ardhmen”, tha Vuçiq.

Ai falënderoi Greqinë, Bullgarinë dhe Rumaninë që kanë qenë të gatshme të dëgjojnë qëndrimin e Serbisë, në lidhje me marrëdhëniet me Kosovën.

Vuçiq shtoi se me kryeministrin grek Alexis Tsipras ka biseduar për hekurudhën Beograd-Shkup-Selanik dhe se Serbia do ta përfundojë ndërtimin deri në kufirin me Maqedoninë.

Takimi i radhës i “Katërshes së Ballkanit” do të mbahet në Varna, ndërsa Beogradi do të jetë nikoqir para fundit të këtij viti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat