BDI dhe PDSH përshëndesin vendimin NATO-s për fillimin e bisedimeve me Maqedoninë

Maqedonia

BDI dhe PDSH përshëndesin vendimin NATO-s për fillimin e bisedimeve me Maqedoninë

Më: 12 korrik 2018 Në ora: 16:02
BDI dhe PDSH

Dy partitë politike shqiptare në Maqedoni, BDI dhe PDSH kanë përshëndetur vendimin e vendeve anëtare të NATO-s, që të fillojnë bisedimet për anëtarësimin e Maqedonisë në aleancë.

BDI dhe PDSH përmes komunikatave theksojnë se ftesa për anëtarësim në NATO ka konfirmuar përcaktimin e vendit për anëtarësim të plotë.

“Integrimi Euroatlantik ka qenë udhërrëfyes i aktivitetit tonë politik dhe shoqëror që nga fillet e veprimtarisë sonë deri sot dhe përkushtimi jonë konzistent drejt realizimit të këtij synimi, pa e humbur përqendrimin për asnjë çast, ka rezultuar me sukses të përbashkët. Integrimi i plotë i vendit tonë, por edhe i rajonit në NATO e bën lirinë tonë të plotë, mundëson siguri, stabilitet, paqe të qëndrueshme, marrëdhënie të mira ndëretnike, zhvillim ekonomik dhe mirëqenie shoqërore. Arritjet e këtij viti të cilat mundësojnë barazi dhe integrim Euroatlantik janë synim i të gjithë qytetarëve dhe partive politike në vend, prandaj të gjithë ne bashkërisht duhet të punojmë për rrumbullakësi të suksesshëm të këtij procesi. Këto arritje janë rezultat i punës së përbashkët të qytetarëve tanë, partive politike, shoqërisë civile, botës akademike, mediave dhe miqve ndërkombëtar”, thonë nga BDI.

Ndërsa nga PDSH theksojnë se anëtarësimi në NATO nuk ka alternativë tjetër dhe falënderojnë faktorin ndërkombëtar për ndihmën dhe përkrahjen.

“Deklarata e Samitit të NATO-s në Bruksel për Siguri dhe Solidaritet Transatlantik qartë konfirmoi përcaktimin e vendeve anëtare të NATO-s për anëtarësim të plotë, përcaktim ky strategjik jo vetëm i PDSH-së por edhe i shqiptarëve.  Implementimi i Marrëveshjes për emrin me Greqinë, që nënkupton realizimin e obligimeve të marra, vazhdon të ngel kusht për anëtarësim të vendit në NATO dhe PDSH-ja bashkë me faktorët tjerë do të angazhohet maksimalisht në mënyrë që ky proces të përfundoj me sukses.  PDSH vlerëson se anëtarësimi në NATO nuk ka alternative tjetër dhe falënderon faktorin ndërkombëtarë për ndihmën dhe përkrahjen në realizimin e këtij përcaktimi”, thonë nga PDSH.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat