Reagimet nga Maqedonia: Ftesa për në NATO - ëndërr e realizueshme

Maqedonia

Reagimet nga Maqedonia: Ftesa për në NATO - ëndërr e realizueshme

Më: 12 korrik 2018 Në ora: 22:21
Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev dhe shefi i NATO-s Jens Stoltenberg

Bisedimet për anëtarësim në NATO nisin me marrjen e fteses. Por Maqedonia duhet të finalizojë marrëveshjen me Greqinë deri në mars të vitit 2019.

Bisedimet paraaderuese të Maqedonisë për anëtarësim në NATO tani më mund të konsiderohen si të nisura që nga momenti i marrjes së ftesës për anëtarësim.  James Mackey nga departamenti i çështjeve politike dhe të sigurisë pranë NATO-s do të jetë përfaqësuesi kryesor i Aleancës Veritlantike në bisedimet para anëtarësimit. Bisedimet pritet të përfundojnë më së voni deri në mars të vitit 2019, ndërsa deri atëherë Maqedonia do të duhet ta finalizojë Marrëveshjen me Greqinë për emrin, me qëllim që vendet anëtare të NATO-s të nisin ratifikimin e protokollit aderues.

Procesi i tërësishëm i anëtarësimit pritet të përfundojë brenda 1 viti e gjysmë. Koordinatori kombëtar për përgatitjen e Maqedonisë për hyrje në NATO Stevo Pendarovski thotë se për Maqedoninë detyrë më konkrete është implementimi deri në fund i marrëveshjes me Greqinë. "NATO-ja do të na vlerësojë nëpër këtë prizëm, nuk do të jetë e mjaftueshme t'i plotësojmë vetëm kushtet juridike, teknike ushtarake, por edhe politike”, ka deklaruar  Pendarovski.

Image
Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev dhe shefi i NATO-s Jens Stoltenberg

Zaev: Sukses i qytetarëve

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev nga Brukseli i ftoi qytetarët e Maqedonisë më 14 korrik në festë të përbashkët në 15 qytete nëpër vend për ta festuar ftesën për në NATO si një sukses të madh për të gjithë qytetarët. "Maqedonia shkon vetëm përpara, ndërsa qytetarët po radhitin edhe një sukses të madh. Urime Maqedoni. NATO-ja vendosi të dërgojë ftesë për t'u bërë anëtarja e 30-të e Aleancës. E morëm ftesën për t'u bërë aleat i vendeve më të fuqishme të botës. Pritëm edhe një ditë të madhe. I realizuam qëllimet tona strategjike, ëndrrat dhe shpresat tona të përbashkëta ", ka deklaruar Zaev.

Zëvendëskryeministri i angazhuar për Çështje Evropiane, Bujar Osmani nga selia e NATO-s në Bruksel përmes video-porosisë ka thënë se ftesa për anëtarësim në NATO është ditë historike për të gjithë qytetarët e Maqedonisë. "Sot mbyllim një kapitull nga zhvillimi shoqëror dhe shtetëror i Maqedonisë. Ne fillojmë proces të ri i cili bëhet i pakthyeshëm për anëtarësim në NATO dhe  BE. Këto janë hapa komplementare”, thotë Osmani në video porosinë.

Image
Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev dhe shefi i NATO-s Jens Stoltenberg

VMRO sërish me kritika

Udhëheqësi i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski në një video të publikuar bënë thirrje për protesta këtë të diel në Kavadar, kundër politikës qeveritare.

"Nuk ka as datë pa kusht për negociata me BE e as ftesë të pakushtëzuar për NATO. Kjo po ndodh pasi ne kemi një qeveri të paaftë. Ju duhet të ndaloni humbjet, dhe përgjigja për këtë është secili prej jush të protestoj. Prandaj, ne do të vazhdojmë të protestojmë, ju thërras në qytetin e Kavadarit të dalim në marsh proteste”, është shprehur Mickoski.

LSDM : Anëtarësimi në NATO ofron benificione të shumta

Nga LSDM-ja në pushtet kundërpërgjigjen se anëtarësimi në NATO nuk do të thotë vetëm stabilitet në siguri , anëtarësimi ka domethënie edhe për më shumë investime, përforcim i besimit ndërkombëtar në ekonominë e Maqedonisë, vende të reja të punës dhe më shumë para në çdo familje. "Pas viteve të izolimit, pasigurisë dhe ngecjes, sot dyert për anëtarësim në NATO dhe fillimi i negociatave me BE-në janë të hapura, identiteti maqedonas dhe ardhmëria janë siguruar. Maqedonia bëhet pjesë e familjes të cilës i takon”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Ftesa për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonoisë me NATO është një lajm i mirë jo vetëm për qytetarët e Maqedonisë por edhe për gjithë rajonin, vlersojnë analistët "Anëtarësimi në NATO e rritë sigurinë dhe sjell beneficione tjera për zhvillimin e mëtejshëm të vendit. Edhe për ne në këtë rast, vlen e njëjta procedurë, e cila ishte edhe për Shqipërinë edhe për Kroacinë, por kusht shtesë është finalizimi i Marrëveshjes me Greqinë", thotë analisti Sefer Tahiri.

Ish-ambasadori i Maqedonisë në NATO Nano Ruxhin nuk pret pengesa në procesin e referendumit apo të ndryshimeve të nevojshme kushtetuese, kushte këto që duhet t'i plotësojë Maqedonia për aderim në NATO. Por në rast të dështimit eventual, atëherë sipas tij vendi do të ishte pa perspektivë apo t'i bashkohej grupit të shteteve të lindjes.

Ndërsa analisti Blerim Hyseni thotë se marrja e ftesës është moment historik për Maqedoninë, ajo vulos përcaktimin e saj perëndimor. "Në krahasim me vendet e tjera anëtare të NATO-s, rruga e Maqedonisë për anëtarësim ka qenë e gjatë, sepse Maqedonia ka pasur specifikat me çështjen e emrit, por e rëndësishme është që Maqedonia mori drejtimin për anëtarësim në NATO, të cilën e kanë dëshiruar të gjithë”, shprehet Hyseni./dw

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat