SHBA mbështetë referendumin për emrin

Maqedonia

SHBA mbështetë referendumin për emrin

Më: 1 gusht 2018 Në ora: 17:14
Pamje nga takimi në mes të kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev dhe zyrtarit të lartë amerikan, Matthew Palmer

Caktimi i datës për mbajtjen e referendumit lidhur me Marrëveshjen për emrin me Greqinë ka rritur angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare për përfundimin me sukses të zbatimit të saj, që vlerësohet si një nga marrëveshjet më të rëndësishme që ka arritur Maqedonia me fqinjët që nga pavarësia e saj.

Në këtë kuadër në Shkup po qëndron zëvendësndihmës i Sekretarit amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euro-Azi, Matthew Palmer i cili do të realizojë takime me drejtuesit më të lartë të shtetit.

Diplomati amerikan fillimisht është takuar me presidentin, Gjorge Ivanov ndërsa më vonë edhe me kryeministrin Zoran Zaev dhe me zyrtarë të tjerë. Sipas një njoftimi të ambasadës amerikane në Shkup, vizita e zyrtarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit ka për qëllim “mbështetjen e SHBA për arritjen e Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, si dhe për progresin e mëtejmë të vendit drejt anëtarësimit në NATO dhe BE”.

Mbështetja amerikane për procesin e anëtarësimit euroatlantik të Maqedonisë është theksuar në vazhdimësi edhe nga ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily i cili ka e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme mbështetjen e këtij procesi nga të gjitha aktorët politikë, por edhe shoqëria në përgjithësi. Ai në një prononcim të mëhershëm ka thënë se dëshiron ta shoh Maqedoninë si anëtare e 30-të e NATO-s.

“Unë mendoj se tani qytetarët e këtij vendi pa dallim se në cilën anë janë, pa dallim se cilit komunitet i përkasin, ata kanë mundësinë të vendosin për të ardhmen e tyre. Ata mund të mbështesin marrëveshjen me Greqinë, që hap mundësinë e anëtarësimit në BE dhe çon drejt anëtarësimit në NATO. Janë vendime të rëndësishme që tani duhet të ndërmerren....shpresoj ta shoh Maqedoninë si Republika e Maqedonisë së Veriut, si anëtarja e 30-të e NATO-s. Mendoj se kjo është e rëndësishme për shkak se shumë njerëz në këtë shtet sikur ndjejnë një lloj nervozizmi për ardhmen. Mendoj se kjo është një mundësi e mirë që të ndaleni dhe të shikoni historinë në 100 vjetët e fundit, problemet, ndonjëherë dhunën, çështjet me Bullgarinë, Shqipërinë dhe Greqinë. Tani e keni shansin që fqinjët t’i bëni aleatë”, ka deklaruar ambasadori Baily.

Mbështetje për zbatimin e Marrëveshjen me Greqinë dhe realizimin me sukses të referendumit ka ardhur edhe nga Bashkimi Evropian. Komisioneri për zgjerim dhe fqinjësi të mirë Johannes Hahn ka përshëndetur vendimin e Kuvendit që më 30 shtator të mbahet referendum për Marrëveshjen me Greqinë, ndërsa i bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Maqedonisë që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike, pasi sipas tij, bëhet fjalë për vendin dhe të ardhmen e tyre.

“BE-ja mbështet këtë marrëveshje dhe zbatimin e saj, si simbol i pajtimit dhe fqinjësisë së mirë në rajon. I ftoj gjithë. Bëhet fjalë për vendin e tyre dhe për të ardhmen e tyre”, ka porositur komisioneri Hahn.

Referendumi do të mbahet më 30 shtator dhe do të jetë konsultues. Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev disa herë ka bërë të ditur se do të mbështesë çdo vendim që do të sjellin qytetarët, por të martën tha se nëse dalja është e vogël apo nëse dështon për shkak të mosdaljes së mbi 50 për qind të votuese, atëherë çështja do t’i kalojë institucioneve.

Opozita ka kundërshtuar referendumin pasi nuk pajtohet me pyetjen të cilës duhet ti përgjigjen qytetarët. Ajo kërkon që formulimi të jetë kryesisht i lidhur me ndryshimin e emrit të shtetit dhe jo me integrimet euroatlantike, siç është miratuar në Kuvend./rel

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat