Maqedonia arreston 7 persona, dyshohet se luftuan në Siri dhe Irak

Maqedonia

Maqedonia arreston 7 persona, dyshohet se luftuan në Siri dhe Irak

Më: 7 gusht 2018 Në ora: 14:05
Pjesëtarë të Policisë maqedonase, foto nga arkivi

Shtatë persona, të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë aktive në luftërat në Siri dhe Irak, janë arrestuar gjatë një aksioni policor në Maqedoni.

Personat e arrestuar janë nga mosha 23 deri 47-vjeç, për të cilët nga policia maqedonase njofton se ka pasur dhe fletarrest ndërkombëtar.

“Janë arrestuar shtatë shtetas të Maqedonisë, për të cilët ekzistojnë dyshime se si luftëtarë terroristë të huaj, në mënyrë aktive kanë marrë pjesë në luftërat në Siri dhe Irak”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë.

Sipas Policisë, ky aksion paraqet tregues të qartë se Maqedonia si shtet mund të ballafaqohet me sfidat aktuale të sigurisë dhe se ajo është partnere serioze e koalicionit global në luftën kundër terrorizmit.

“Në kuadër të koalicionit global për luftë kundër terrorizmit, Republika e Maqedonisë vazhdon edhe më tej me aktivitete të vazhdueshme në drejtim të detektimit, identifikimit, neutralizimit dhe ndjekjes penale të luftëtarëve të huaj”, theksohet në komunikatë.

Në bazë të Kodit Penal të Maqedonisë, pjesëmarrja ose rekrutimi i personave për t’u përfshirë në luftërat e jashtme, paraqet vepër penale, për të cilën parashihet dënim me së paku pesë vjet burg.

Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë ka kërkuar nga organet e sigurisë së Maqedonisë që të jenë më transparente sa i përket të gjitha të dhënave që disponojnë rreth numrit të personave që janë të përfshirë në luftërat në Siri, Irak dhe vendet e tjera në Lindjen e Mesme.

Samet Shabani, hulumtues i çështjeve që lidhen me radikalizmin, ka treguar për Radion Evropa e Lirë faktorët që i motivojnë të rinjtë nga Maqedonia të shkojnë në luftërat e huaja.

“Për sa i përket përfshirjes në grupe ekstremiste të dhunshme, hulumtimet tona tregojnë që motivet kryesore janë: bindja ideologjike radikale që kultivohet nga prijësit e vetëshpallur fetarë të grupeve ekstremiste, kriza e identitetit te të rinjtë dhe gjetja e këtij identiteti në këto grupe, si dhe një lloj frustrimi nga mungesa e perspektivës në vend dhe kërkimi i alternativës në grupe të tilla”, ka thënë Shabani nga organizata joqeveritare Horizont Civitas.

Ekspertët e sigurisë duke komentuar sfidat me të cilat përballet vendi pas kthimit të personave të cilët kanë qenë të përfshirë në luftën në Siri apo vendet e tjera, thonë se anëtarësimi i Maqedonisë si shtet në aleancën Veri-Atlantike paraqet një nga shtyllat kyçe për luftën kundër terrorizmit.

Ish-ministri i Punëve të Brendshme Pavle Tajanov për Radion Evropa e Lirë thotë se të gjithë ata të cilët kthehen në Maqedoni pasi kanë marrë pjesë në luftërat e huaja, janë “bombë e kurdisur”.

“Është më se e kuptueshme se me anëtarësimin e Maqedonisë në NATO do të rritet siguria në vend me atë që do të bëhemi pjesë e rrjedhës së inovacioneve të shërbimeve të inteligjencës të forcave botërore, siç janë SHBA-ja dhe vendet me BE-së, si Gjermania, Franca, etj”, thotë Pavle Tajanov, ish-ministër i Punëve të Brendshme.

Në bazë të të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme, në luftërat në Siri dhe Irak janë të përfshirë 150 shtetas të Maqedonisë. Prej tyre, në vend janë kthyer 80 persona./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat