Referendumi në Maqedoni, nuk dihet numri i administratorëve në diasporë

Maqedonia

Referendumi në Maqedoni, nuk dihet numri i administratorëve në diasporë

Më: 19 gusht 2018 Në ora: 15:22
Edmond Ademi

Ende nuk dihet se sa administratorë do të shkojnë nga Maqedonia në diasporë për të zbatuar procesin e referendumit.

Ministri i Diasporës, Edmond Ademi, thotë se disa përfaqësi diplomatike kanë mjaftueshëm administratorë të punësuar për zbatimin e referendumit, ndërsa disa të tjera janë me numër tejet të ulët.

Ai shton se deri në mbylljen e afatit të paraqitjes së votuesve nëpër ambasada nuk mund të parashihet se sa do të jetë nevoja për dërgimin e stafit nga Maqedonia në diasporë.

”Sipas Ligjit dhe sipas rregullores, për t’u hapur një vendvotim në një përfaqësi diplomatike konsullore duhet të paraqiten mbi dhjetë qytetarë të cilët kanë interes për të votuar në ambasadë. Nëqoftëse numri i të paraqiturve është mbi një mijë në atë ambasadë apo përfaqësi diplomatike atëherë hapet vendvotim i dytë në të njëjtit vend. Në ato Ambasada ku ka numër të mjaftueshëm të stafit diplomatik atje nuk do të ketë nevojë për të dërguar administratorë atje ku ka nevojë atje do të dërgohen. Numri i këtyre të dërguarve në krahasim me zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare do të jetë shumë më i vogël se në të kaluarën”, deklaroi Edmond Ademi, Ministër i Diasporës.

Javëve te fundit ka zëra se disa shoqata shqiptare në diasporë kanë filluar fushatën për bojkot të referendumit. Ministri Ademi thotë se është i njoftuar me këtë gjë duke shtuar se thirrjet për bojkot nuk janë gjë tjetër pos favorizim i politikave anti-perëndimore.

”Unë dëgjova dhe pashë disa lajme në diasporë se shoqatat shqiptare gjoja ftojnë për bojkot të referendumit që për mua është një no-sens apsolut meqë s’ka interes më të madh kombëtar dhe nacional për shqiptarët në Maqedoni që të jenë pjesë e BE-së dhe NATO’s dhe ftesat e tilla për bojkot nga organizata shqiptare në diasporë, mendoj se shkojnë vetëm në krah të këtyre strukturave pro-ruse që janë në Maqedoni dhe që flasin për bojkot, asgjë tjetër. “Interesi i shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë është që Maqedonia të jetë anëtare e BE-së dhe NATO-s dhe çdo thirrje ndryshe mendoj se luan rolin e disa strukturave që nuk ia duan të mirën as Maqedonisë por edhe më pak shqiptarëve”, pohoi Edmond Ademi, Ministër i Diasporës.

Ademi shprehet optimist se shtetasit e Maqedonisë të cilët jetojnë jashtë vendit do të japin përkrahje që referendumi të rezultojë i suksesshëm.

“Nga këta takime që i kam të rregullta derisa tash, meqë momentalisht diaspora gjendet në Maqedoni, nuk ka kategori tjetër të qytetarëve që më së miri e kuptojnë se çfarë do të thotë të jesh pjesë e BE-së dhe NATO-s kur pikërisht ata qytetarë tanë jetojnë në shtete që janë anëtere të BE-së dhe NATO-s dhe i dinë të gjitha përparësitë e një shteti që i takon BE-së se çfarë u ofron qytetarëve të vet”, shtoi ai.

Qytetarët e Maqedonisë të cilët jetojnë në diasporë dhe duan të votojnë ditën e referendumit mund të paraqiten nëpër Ambasada apo konsulatat nëpër vendet ku jetojnë, po ashtu dhe në mënyre elektronike në faqen e KSHZ-së. Deri më sot numri i të paraqiturve në diasporë është mbi 1200.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat