Referendumi ndihmon jo vetëm shqiptarët, por edhe rajonin

Maqedonia

Referendumi ndihmon jo vetëm shqiptarët, por edhe rajonin

Më: 25 gusht 2018 Në ora: 22:36
Ilustrim

Referendumi për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së emrit me Greqinë gjithnjë e më shumë po merr vëmendje ndërkombëtare, jo vetëm të mediave, por edhe të qeverive të shteteve te mëdha të Bashkimit Evropian dhe më gjerë. Kryeministrja e shtetit më të fuqishëm të BE-së, Gjermanisë, Angela Merkel së fundmi përmes një bisede telefonike që pati me kryeministrin Zoran Zaev i dha mbështetje të fuqishme Marrëveshjes për emrin me Greqinë. Përveç Serbisë, që mbahet e rezervuar sa i përket Marrëveshjes me Greqinë, e cila me gjasa reale që do të sjell anëtarësim të plotë në NATO nëse kalon në Referendum, të gjitha vendet fqinje dhe vendet tjera në rajon i kanë dhënë mbështetje marrëveshjes për emrin. Kjo dhe nga fakti se me anëtarësimin eventual të Maqedonisë në NATO, shpresohet ti mbyllen kanalet e përzierjes dhe ndikimit të Rusisë në Ballkan. Por mbi të gjitha, kur Shqipëria është veçmë në NATO, ky Referendum po pritet me interes edhe tek shqiptarët në të tre shtetet – Kosovë Shqipëri dhe në vetë Maqedoninë. Por cili është mendimi i ekspertëve dhe publicistëve nga këto tre vendet sa i përket ndikimit të referendumit në hapësirën shqiptare dhe më gjerë atë rajonale.

HAP INKURAJUES PËR EKZISTENCËN SHQIPTARE NË BALLKAN

Publicisti i njohur nga Kosova, Musa Sabedini, është i bindur se shqiptarët e Maqedonisë do të jenë zëri vulosës i së ardhmes së Maqedonisë, rreth emrit që parashihet të mbahet më 30 shtator përmes Referendumit. “Personalisht mendoj se nëse do të kishte një votim pozitiv nga pjesa shqiptare, atëherë do të kishte edhe një siguri dhe një garanci më të madhe të vet faktorit shqiptarë dhe të drejtave të saj. Shqiptarët në Maqedoni duhet ta kuptojnë se e ardhmja e Maqedonisë dhe anëtarësimi i saj në NATO dhe BE është hap inkurajues edhe për vet ekzistencën e popullit shqiptar atje”, thekson për KOHA,  Sabedini. Sipas tij, aty ku ka marrëveshje ndërkombëtare dhe aty ku kërkohet me Eeferendum popullor të vuloset e ardhmja e një shteti, nuk ka asnjë të keqe, ndërsa pala shqiptare duhet ta ndihmojë këtë proces dhe ta avancojë rolin e saj historik.

“Duhet të jetë e qartë se Maqedonia pa pjesën shqiptare është gjysmake, është e vdekur. Ky fakt na jep të drejtë të kuptojmë se shqiptarët në Maqedoni kanë përgjegjësi historike që të jenë pjesë e këtij procesi të rëndësishëm dhe vendimmarrës. Mund të ketë zëra kritik dhe kundërshtues, por argumenti historik flet në favor të daljes në Referendum dhe vulosjes së Maqedonisë, si shtet që garanton të drejtat e shqiptarëve, ashtu siç ka nisur me hapat e ‘mëdhenj’ Zaevi, ndonëse ka ende për të bërë më të mundshmen dhe më të mirën”, thotë për gazetë KOHA, Sabedini. Rreth impaktit ndër shqiptar dhe rajonal që mund të ketë ose sjell Referendumi, Musa Sabedini thotë se kjo e bënë faktorin shqiptar, politikën shqiptare dhe shoqërinë shqiptare si një element vendimmarrës.

Siç thotë ai, ky impakt tregon se shqiptarët në rajon janë popull aktiv dhe e dinë rolin dhe rëndësinë që ka çdo marrëveshje që ruan dhe mbron kufijtë dhe avancon të drejtat në maksimum të vet shqiptarëve të shkelur ndër vite.

“Rajoni në përgjithësi do të ndihej më stabil dhe më i sigurt nëse Maqedonia integrohet plotësisht në NATO dhe BE, sepse kështu rriten përgjegjësit e Maqedonisë ndaj kërkesave në vazhdimësi që ka shoqëria shqiptare për tu avancuar në shkollim, arsimim, shërbime ushtarake, avancime akademike, diplomatike, përfaqësim të barabartë në të gjitha nivelet shtetërore”, thekson Sabedini.

I një mendimi më të është edhe profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Bekim Baliqi lidhur me ndikimin pozitiv në rajon të Referendumit në Maqedoni. Siç thotë profesori Baliqi, një Maqedoni stabile dhe e anëtarësuar në NATO, është në favor të shqiptarëve.

“Gjithashtu, kjo e rrit mundësitë e bashkëpunimit më të madh diplomatik, ekonomik e politik mes Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë. Me këtë, edhe populli shqiptarë përfiton, sepse faktorizohet edhe në rrafshin rajonal e ndërkombëtar. Sikurse që demonstron edhe qëndrimin properëndimor të tyre”, thekson Baliqi, duke shtuar se anëtarësimi në NATO mund të ndikoj në përmirësimin e klimës për investime dhe zhvillim ekonomik, prej së cilës edhe gjendja ekonomike e sociale e shqiptarëve do të përmirësohej ndjeshëm.

SUKSESI I REFERENDUMIT QË TË DËGJOJË SERBIA

Ish politikani Ismet Ramadani thotë për KOHA se përgjigja me PO në Referendumin për emrin më 30 shtator do të thotë shumë për Maqedonisë si në planin brendshëm, ashtu dhe në planin gjeostrategjik. “Mendoj se do të përshpejtohet anëtarësimi në NATO dhe rruga për në BE, gjë që pa dyshim do të ketë impakt pozitiv edhe në nivel rajonal si në aspekt të sigurisë, ashtu dhe aspekt të zhvillimit të demokracisë sidomos demokracisë institucionale”, thotë Ramadani, njëherësh dhe kryetar i shoqatës “Këshilli euroatlantik i Maqedonisë”. Shqipëria, shton Ramadani, veçmë është në NATO edhe Maqedonia bashkë me shqiptarët brenda saj do të jetë në NATO, ndërsa në Kosovë procesi mund të jetë më i gjatë, por aty NATO është prezente derisa të bëhet anëtare e plotë dhe kjo do të thotë shumë. Për Ramadanin, një Referendum i suksesshëm në Maqedoni dhe anëtarësimi i saj në NATO, veç tjerash do të ketë reflektojë pozitivisht edhe në Serbi, kur forcat radikale, siç thotë ai, do ta shihnin veten të izoluar në të gjitha anët. “Kur jemi tek Serbia, ajo është përcaktuar vetëm për në BE-në, por jo edhe për NATO-n. Në këtë rast, anëtarësimi i Maqedonisë nuk mund të kalojë pa ndikim pozitiv edhe në Serbi, atje ku forcat radikale do të kuptojnë se hapësira ajrore e NATO-s është zgjeruar në të gjitha anët, në Mali të Zi, Bullgari, Rumani e Hungari. Këtu duhet kujtuar nenin 5 të Paktit të NATO-s ku thuhet se ‘një për të gjithë, të gjithë për një’! Pra, në rast të ndonjë sulmi nga jashtë të ndonjë vendi anëtarë. Andaj edhe Serbia pres që të kuptojë se të qenurit anëtar i NATO-s do ti sjell stabilitet afatgjatë dhe më shumë demokraci institucionale, sidomos në institucionet e rendit dhe sigurisë”, thekson Ramadani.

Historiani i njohur nga Bullgaria, Stefan Ivanov, vlerëson ndërkohë se Referendumi për emrin do të jetë test për Maqedoninë se a do të fitojë përballë hijeve të së kaluarës. Sipas tij, Bullgaria ka interes që Referendumi më 30 shtator të jetë i suksesshëm pro marrëveshjes mes Zaevit dhe Ciprasit.

“Do të jetë një test për Maqedoninë se në cilin drejtim dëshiron të vazhdojë, a do të jetë nën hijen e së kaluarës apo do të afrohet drejt BE-së dhe do të tejkalojë gënjeshtrat që shënohen në librat maqedonase”, deklaroi Ivanov për televizionin bullgar OnAir. Sipas tij, është çështje e rëndësishme se a do të rikthehet ky vend tek rrëfimi fals ruso-serb se Maqedonia është diçka ndryshe. Ai thekson se për momentin zgjedhja është mes të kaluarës dhe të së ardhmes.

ZAEVI TË MOS SHPRESOJË VETËM TEK SHQIPTARËT

Ndërkaq, kritik ndaj qasjes së Qeverisë së Maqedonisë, me theks për kohën e papërshtatshme dhe në pyetjen e Referendumit për gazetën KOHA prononcohet analisti politik nga Tirana, Ilir Kulla.

“Së pari, unë mendoj që Referendumi është organizuar në një kohë të papërshtatshme pasi fundi i shtatorit nuk është periudha e përshtatshme për shkak se mërgimtarët e kanë të pamundur të kthehen një muaj pas pushimeve për të votuar Referendumin. Së dyti, mendoj se duhet të ishte bërë vetëm një pyetje në formularin e Referendumit, fakti sepse më shumë se një pyetje e komplikon leximin e këtij rezultati”, thotë për KOHA, Kulla. Ai, po ashtu thotë se Zaevi nuk duhet ta perceptojë suksesin në Referendumi një votë politike në vetën e parë, por të përfshijë në procesin publik pro Referendumit edhe shkrimtarë, sportistë, akademikë, biznesmenë, aktorë… të etnisë maqedonase që të nxisin njerëzit të votojnë dhe jo të mbetet me shpresa vetëm tek shqiptarët për rritjen e pjesëmarrjes në Referendum.

“Sjellja unilaterale e LSDM-së nuk e ndihmon këtë proces. Në kontekstin shqiptar duhet të marrin pjesë sa më shumë qytetarë të etnisë shqiptare, por edhe ata me prejardhje turke, serbe, rome etj. Në rrafshin shqiptar, dështimi i Referendumit do të ishte një goditje e rëndë për faktorin shqiptar, i cili është pro anëtarësimit në NATO”, thotë Kulla. Ndërkaq, në kontekst rajonal, sipas Kullës, ky Referendum në një lloj forme vendos për ardhmërinë apo jo të influencës ruse në Ballkan. “Në rast suksesi, anëtarësimi i Maqedonisë në NATO është më se e i sigurt”, thotë Ilir Kulla. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat