Kuvendi i Maqedonisë me agjendë intensive këtë javë

Maqedonia

Kuvendi i Maqedonisë me agjendë intensive këtë javë

Më: 27 gusht 2018 Në ora: 09:53
Maqedoni

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi sot në mëngjes do të ketë takim me koordinuesit e grupeve të deputetëve, në të cilin përveç aktiviteteve intensive të Kuvendit, duhet të diskutohet edhe për fushatën për referendumin e 30 shtatorit.

Në fushatë “pro” pyetjes së referendumit do të marrin pjesë partitë nga shumica qeveritare BDI, LSDM, por edhe Lëvizja Besa, PDSH dhe Aleanca për Shqiptarët. Pritet që vetëm grupi i deputetëve të OBRM-PDUKM-së nuk do të marrë pjesë në fushatën për referendumin me mjetet dedikuar për ta që Qeveria do t’ia transferojë Kuvendit. Nga kjo parti edhe dje theksuan se heqin dorë nga paratë dhe se me siguri të mërkurën do të dërgojnë letër zyrtare deri tek kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Kuvendi këtë javë ka agjendë intensive për punë. Vetëm për sot janë caktuar disa seanca, ndërsa për vizitë dyditore në Kuvend do të jenë edhe disa senatorë amerikanë. Seancë duhet të mbajë edhe Komisioni për zgjedhje dhe emërtime, në të cilin duhet të përzgjidhen njerëzit e parë të shumë institucioneve dhe komisioneve, të cilat mbetën pa kuadër udhëheqës dhe anëtarë.

Më 29 gusht gjegjësisht të mërkurën është caktuar seancë kuvendore, në të cilën në rend dite do të duhet të jenë pikat që sot do ta kalojnë filtrin e komisionit, si dhe të tjera të cilat kanë mbetur para pushimeve. Nga çështjet kuadrovike, pritet konstatim i ndërprerjes së mandatit të deputetit Petar Atanasov dhe zgjedhjes së tij për zëvendësministër të MASH-it, si dhe verifikim të mandatit të pasardhësit të tij nga LSDM-ja.

Megjithatë, në fokus të opinionit përveç çështjeve për drejtor të Agjencisë Teknike-Operative (ATO), revizor i përgjithshëm dhe vendim për shpenzimet e rrugës për deputetët, është fushata për referendumin që duhet ta zbatojë Kuvendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat