Referendumi për emrin, Zaev shtrin dorën e bashkëpunimit

Maqedonia

Referendumi për emrin, Zaev shtrin dorën e bashkëpunimit

Më: 4 shtator 2018 Në ora: 17:33
Zoran Zaev

“Mandati im si kryeministër përfundon në vitin 2020. Nëse referendumi dështon, atëherë mbase ne i lajmë duart me politikën. Ç’kuptim ka të drejtosh një vend që nuk ka të ardhme?”.

Me këto pohime, kryeministri maqedonas Zoran Zaev i është rikthyer paralajmërimeve të bëra në muajin qershor.

Optimizmi i atëhershëm për suksesin e nismës, këtë herë ua la vëndin thirrjeve për bashkëpunim.

“Kam këndvështrimin tim për sa i takon përgjegjësisë së faktorëve kryesorë politikë në vend, përfshirë VMRO-DPMNE-në, që duhet të punojnë për t’i siguruar një të ardhme të begatë Republikës së Maqedonisë”, deklaroi Zaev.

“Ne duhet të jemi të bashkuar, – vazhdoi ai. – Opozita dhe qeveria mund të mos pajtohen në një sërë çështjesh, por kur shkruajmë historinë duhet të jemi njësh, sepse nuk ka alternativë tjetër për kombin tonë dhe për një të ardhme të suksesshme të tij”.

Referendumi për emrin e Maqedonisë do të mbahet më 30 shtator dhe do të jetë konsultativ. Pyetja e tij do të jetë: A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO, me mbështetjen e Marrëveshjes me Greqinë?

Shumica e shqiptarëve të Maqedonisë pritet ta mbështesin votimin, sepse shohin – siç thonë, – shpresa për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e vendit.

Në referendum duhet të dalin mbi 900 mijë votues, që ai të jetë i vlefshëm dhe më tepër se 50 përqindëshi i tyre të deklarohen në favor të pyetjes së shtruar. Në të kundërt, Parlamenti i Maqedonisë i merr përsipër të gjitha të drejtat për të vendosur më tutje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat