“Kaluan 25 vite, ndërsa mund të kalojnë edhe aq për një marrëveshje të re, nëse kjo e tanishmja nuk kalon”, thotë ndërmjetësuesi i Kombeve të Bashkuara për çështjen e emrit Matthew Nimetz.
Në një intervistë për BIRN, Nimetz thotë se ideja për pritje të gjatë dhe moszbatim të marrëveshjes është e rrezikshme.
“Atyre në shtetin tuaj që thonë ‘të presim, të kalojnë edhe disa vite dhe do të kemi marrëveshje më të mirë në të ardhmen’, unë ju them ‘nuk e dini se ku atëherë do të jetë BE-ja, a do të duan anëtar të ri, a do të jetë ai shteti juaj, nuk e dini ku do të jetë NATO, nuk e dini çfarë do të ndodh me Greqinë dhe rajonin’. Ideja për pritje të gjatë është shumë e rrezikshme”, thotë Nimetz.
Ai shtoi se është optimist i përmbajtur, por nuk është gjithçka gati. Sipas tij, që marrëveshja mes Shkupit dhe Athinës të zbatohet, duhet të kalojë referendumi, të miratohen ndryshimet kushtetuese dhe më pas edhe Parlamenti i Greqisë ta ratifikojë.
“Shpresoj se do të kalojë tek të dy shtetet, pasi është fer dhe zgjidhje e ndershme për të dy palët, por nëse nuk kalon, nuk shoh zgjidhje për kohë të shkurtë. Kaluan 25 vite, mund të kalojnë edhe 25 tjera”, theksoi Nimetz.