Subvencionet në duar të gabuara

Maqedonia

Subvencionet në duar të gabuara

Më: 6 shtator 2018 Në ora: 19:39
Foto ilustrim

Në Lidhjen e Sindikatës të Bujqve thonë se, edhe pse gati 12 vite shteti jep subvencione, në vend që të kemi rritje të hapësirave tokësore të mbjella me kultura bujqësore, ndodhë e kundërta – kemi zvogëlim të këtyre hapësirave, rritje të importit të prodhimeve bujqësore nga shtetet e rajonit, si dhe keqpërdorime të mëdha me shpërndarjen e subvencioneve

Subvencionet bujqësore që u ndan nga Qeveria e mëparshme dhe tani nga Qeveria aktuale nuk po japin rezultatet e pritura për bujqit. Profesorë të Fakultetit të Bujqësisë në Shkup thonë se në vazhdimësi, jo vetëm që kemi zvogëlim të hapësirave të tokave bujqësore, por shteti edhe më tej mbetet i varur nga importi i të gjitha prodhimeve bujqësore.

Sipas prodhuesve bujqësorë dhe profesorëve universitar të Bujqësisë, arsyet kryesore që në tregjet e gjelbra në Maqedoni kemi sasi të vogla të prodhimeve bujqësore, të cilat shiten me çmime të larta, është për shkak të shpenzimeve të mëdha që kanë bujqit, hapësirat shumë të vogla të tokave, makineri e vjetruar, si dhe mungesa e sistemit për ujitje të tokave bujqësore.

“Problem në vete paraqet edhe mbjellja e shumë kulturave bujqësore, për të cilat bujku individual aspak nuk e mendon plasmanin e prodhimeve. Pastaj shpenzimet e larta të bujqve për të mbjellë tokat, kemi kualitet të dobët të prodhimeve për shkak të edukimi jo profesional të bujqve dhe kontrollit të dobët nga ana tregtarëve, të cilat i blejnë këto prodhime bujqësore”, thotë Jovan Azhderski, profesor pranë Fakultetit të Bujqësisë në Shkup. Sipas tij, është më se e nevojshme që Ministria e Bujqësisë të organizojë trajnime dhe ti ulë në një tavolinë prodhuesit bujqësore përballë tregtarëve dhe industrisë përpunuese.

“Kështu, të gjithë së bashku të paktën dy herë në vit të takohen dhe atë një muaj para se të fillohet me mbjelljen e kulturave bujqësore dhe një muaj para se prodhimet të fillojnë të lëshohen në treg dhe të merren vesh për sasitë që do grumbullohen nga tregtarët, si dhe cili do të jetë çmimi i blerjes me shumicë të prodhimeve bujqësore. Pra, saktë të dihet se cili është çmimi për një kilogram i prodhimeve të klasit ekstra, të klasit të parë apo çmimi industrial. Dhe më e rëndësishmja e gjithë kësaj duhet të jetë respektimi i marrëveshjeve dhe nëse dikush nga tregtarët dhe industria përpunuese shkel marrëveshjen, të përgjigjet penalisht për mos respektim të marrëveshjes”, thotë profesor Azhderski.

Edhe profesori i Bujqësisë, Vladimir Ilievski shprehet se subvencionet të cilat ndahen gati 11 vite me radhë, aspak nuk po japin efektin e pritur.

“Subvencionet nuk kanë arritur efektet e pritura për shkak se pjesa më e madhe e subvencioneve kanë përfunduar në duar të gabuara. Numri më i madh i bujqve individual, me paratë e subvencioneve blejnë farën e grurit pa pyetur për cilësinë e farës, apo çfarë sorte është. Pra vetëm e vetëm për të marrë subvencionet. Pastaj farën e blerë e mbjellin në hapësira më të vogla të tokës, ndërsa pjesën tjetër të parave të mbetura nga subvencionet e shpenzojnë për blerje të gjërave tjera që aspak nuk korrespondojnë me qëllimin për të cilin shteti i ka destinuar”, thotë profesori Ilievski, i cili vlerëson se subvencionet duhet t’ju ndahen atyre bujqve bazuar në faktin se sa hapësirë tokësore kanë mbjellë dhe jo se sa planifikojnë të mbjellin.

Po ashtu, në Lidhjen e Sindikatës të Bujqve nga rajoni i Strumicës thonë se, edhe pse gati 12 vite shteti jep subvencione, në vend që të kemi rritje të hapësirave tokësore të mbjella me kultura bujqësore, ndodhë e kundërta – kemi zvogëlim të këtyre hapësirave, rritje të importit të prodhimeve bujqësore nga shtetet e rajonit, si dhe keqpërdorime të mëdha me shpërndarjen e subvencioneve.

“Pjesa më madhe e këtyre subvencioneve u janë shpërndarë personave që aspak për veprimtari kryesore nuk e kanë bujqësinë apo aktivistëve partiak. Se me të vërtetë ndodhë kështu, mjafton të jesh prezent kur paguhen subvencionet. Të parët që i marrin subvencionet janë personat, të cilët janë aktivist partiak. Pra, pjesa me madhe e subvencioneve shkon në duar të gabuar, ndërsa ata të cilët me të vërtetë merren më bujqësi, mbeten të fundit që i marrin subvencionet”, thonë nga Lidhja e Sindikatës të Bujqve nga rajoni i Strumicës.

Ndryshe, numri i bujqve që shfrytëzojnë subvencione për momentin është 80.000 dhe ky numër nga viti në vit rritet për 10 mijë persona. Subvencione më të larta paguhen për kultivuesit e duhanit. Pikërisht për këta bujq, për vitin 2018 janë paguar 279 milionë euro. Në anën tjetër, nga viti 2008 kur shteti filloi të ndajë subvencione për bujqit e deri në fund të vitit 2013, importi i prodhimeve bujqësore është rritur për 120.5 milionë euro. Ndërkohë, të dhënat e fundit statistikore tregojnë se në kuartalin e parë të viti 2017, eksporti i prodhimeve bujqësore kap shifrën prej 57.5 milionë euro që është për 13.5 për qind më pak krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat