Nis fushata e deputetëve për referendumin, Xhaferi: Do të jemi transparentë dhe të drejtpëdrejtë

Maqedonia

Nis fushata e deputetëve për referendumin, Xhaferi: Do të jemi transparentë dhe të drejtpëdrejtë

Më: 7 shtator 2018 Në ora: 15:28
Nis fushata e deputetëve për referendumin

Deputetët e fillojnë fushatën për referendumin e caktuar për më 30 shtator. Sot po mbahet seanca e fundit para mbajtjes së referendumit, ndërsa aktivitetet pritet të fillojnë nga e hëna. 

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi sot në pres-konferencë para fillimit të fushatës tha se vetë pyetja "A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO me pranimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?", në vetvete përmban përcaktimin strategjik për të cilën synon çdo përfaqësues i qytetarëve që nga pavarësia e Republikës së Maqedonisë e deri më sot. 

"Sot jemi këtu si trup koordinator që ta informojmë opinionin se se si bartës të autorizuar të fushatës, do ta udhëheqim në mënyrë transparente, të drejtpërdrejtë, pa diskriminim, paragjykime dhe me respektimin e  vullnetit të secilit qytetar.  Qëllimi ynë është që hollësisht t'i informojmë qytetarët, për përfitimet nga anëtarësimi ynë në NATO dhe BE, që nuk nënkupton vetëm kufij të mbrojtur, por anëtarësimi nënkupton edhe rrugë të hapura për qytetarët tanë, por anëtarësimi nënkupton më shumë investime të huaja, vende pune, treg më të madh për plasim të produkteve, më shumë mundësi për arsim dhe progres i gjeneratave të reja, ndërsa njëkohësisht edhe sundim i plotë i së drejtës, shtetit juridik, si dhe reforma në gjyqësor dhe në të gjitha sferat e jetës sociale", deklaroi Xhaferi.

Jemi të vetëdijshëm, shtoi ai, se një pjesë e madhe e qytetarëve i dinë përfitimet nga anëtarësimi, por edhe se ka qytetarë të cilët nuk e përkrahin anëtarësimin e vendit në këto institucione.

Xhaferi në emër të trupit koordinues i ftoi të gjithë pjesëmarrësit në fushatë të sillen, siç tha, në mënyrë adekuate, korrekte, dinjitoze me qëllim që qytetarët më 30 shtator ta sjellin vendimin e vërtetë.

Në fushatën e Kuvendit do të përfshihen 71 deputetë nga të gjitha grupet parlamentare, në përjashtim të VMRO-DPMNE-së opozitare e cila e njoftoi Xhaferin se nuk do të marrë pjesë në fushatë dhe se kërkon që mjetet të shpenzohen për qëllime të tjera. 

Xhaferi sqaroi se Kuvendi do të marrë me qira hapësirë në 65 media të cilat deri më 10 gusht kishin dorëzuar çmimoren deri te KSHZ-ja për referendumin. Plani mediatik, tha Xhaferi, do të publikohet në ueb faqen e Kuvendit dhe deputetët fushatën do ta realizojnë në televizionet dhe radiot dhe për shfaqjen e qëndrimeve të tyre do të kenë nëntë minuta deri në një orë.

Përndryshe, deputetët sipas vullnetit të lirë do të mund që qëndrimet e tyre të referendumit t'i shfaqin edhe në njësitë e tyre zgjedhore,  ndërsa siç tha Xhaferi, nuk ka pengesë në këtë fushatë që të përfshihen edhe përfaqësues të tjerë të Qeverisë dhe partive politike, por përsëriti se kjo duhet të bëhet me mjete individuale.

Kryetari i Kuvendit edhe një herë potencon se deputetët për fushatën mediatike nuk do të marrin para të gatshme, por se Kuvendi do të paguajë mjete vetëm për qiranë në media. U bëri thirrje mediave të cilat kanë dorëzuar çmimoret deri te KSHZ-ja dhe deri te të cilët është dërguar letër që të drejtohen deri te Parlamenti për miratimin e marrëveshjeve për dhënien me qira të kësaj hapësire për fushatën. 

Në lidhje me mbajtjen e seancave plenare, kryetari i Parlamentit tha se sot me propozim të deputetëve do të mbahet seancë urgjente dhe se sipas të gjitha gjasave do të jetë e fundit deri në mbajtjen e referendumit më 30 shtator. Xhaferi, megjithatë,   la hapësirë dhe tha se nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe seancë tjetër urgjente nëse ka nevojë për këtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat