Kociançiq: Referendumi të reflektojë vullnetin e lirë të qytetarëve

Maqedonia

Kociançiq: Referendumi të reflektojë vullnetin e lirë të qytetarëve

Më: 10 shtator 2018 Në ora: 18:06
Maja Kociançiq

Zëdhënësja e Komisionit Evropian Maja Kociançiq porositi që procesi i referendumit për emrin e Maqedonisë të reflektojë vullnetin e lirë të qytetarëve dhe pa përzierje nga jashtë.

Ndërkohë e pyetur nëse Komisioni Evropian do t’i ndihmojë shtetit të Maqedonisë në luftën kundër lajmeve të rrejshme-ndikimit të faktorëve të jashtëm në fushatë, Kociançiq tha se Evropa po i ndanë praktikat e tyre më të mira dhe se referendumi po organizohet nga një shtet sovran që është i aftë për zbatimin e këtij procesi.

“BE-ja e mbështeti marrëveshjen e arritur për emrin, tani duhet të bëhen një varg hapash që marrëveshja të jetë definitive. Referendumi është momenti kur populli mund të shfrytëzojë të drejtën e tij demokratike, ky është momenti i rëndësishëm për ta që të vendosin për të ardhmen e vendit të tyre dhe duhet të iu mundësohet që këtë ta bëjnë pa përzierje nga jashtë”, tha Kociançiq.

Nga ana tjetër ambasada ruse në Maqedoni ka reaguar ndaj thirrjes së presidentit të Shqipërisë Ilir Meta, i cili apeloi shqiptarëve të Maqedonisë që të dalin në referendumin e 30 shtatorit dhe të votojnë “PËR” marrëveshjen me Greqinë.

“Ditëve të fundit nuk janë të rralla sugjerimet e liderëve të huaj për qytetarët e Maqedonisë për votimin në referendum. Interesante, çka do të ndodhte nëse një përfaqësues zyrtarë i Rusisë të jepte ‘Këshilla’ të tilla”, shkruhet në Twiter nga ambasada ruse.

Edhe ditëve në vijim priten vizita të funksionarëve të lartë evropian dhe amerikan, megjithatë një gjë e tillë ende nuk është konfirmuar nga organet vendore e as nga të huajat.

Ndërkaq edhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati pritet që nesër të mbërrijë në Maqedoni për një vizitë dyditore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat