Taravari takon ambasadorin amerikan Xhes Bejli

Maqedonia

Taravari takon ambasadorin amerikan Xhes Bejli

Më: 12 shtator 2018 Në ora: 19:17
Xhes Bejli dhe Arben Taravari

Kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari, ka pritur dje në kabinetin e tij ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhes Bejli.

Në takimin Taravari, e njoftoi ambasadorin Bejli me rezultatet e shënuara gjatë qeverisjes së tij me Komunën e Gostivarit, por edhe me sfidat dhe problemet me të cilat po ballafaqohet, duke bërë me dije se vendosja e standardeve të reja në menaxhimin e komunës gjatë mandatit të tij, po jep edhe rezultatet e para në drejtim të përmirësimit të gjendjes.

Si shqetësim kryesor, kryetari Taravari shpalosi një të vërtetë të hidhur, respektivisht  rënien permanente të cilësisë së jetës në vend, ku nuk bëjnë përjashtim as banorët e komunës së Gostivarit. Si sfera më të goditura, Taravari potencoi arsimin, shëndetësinë dhe politikën sociale ku politikat e gabuara dhe keq menaxhimi shumëvjeçar politik, i nxjerr gjithnjë e më shumë në sipërfaqe pasojat.

Taravari shprehu gatishmëri që të ulet me të gjithë faktorët relevantë për të hartuar një strategji të mirëfilltë rreth depolitizimit të shkollave dhe arsimit.

Në takim, Taravari dhe Bejli, biseduan edhe për referendumin e 30 shtatorit, me ç ‘rast kryetari i komunës së Gostivarit njëherit dhe sekretar gjeneral i Aleancës për Shqiptarët, shpalosi qëndrimin e partisë së tij rreth kësaj çështjeje. Në këtë drejtim kryetari Taravari shprehu drojën e tij për jehonë të vogël në referendum për shkak të  largimit masiv të popullatës e sidomos rinisë së  Gostivarit me rrethinë, dukuri kjo shumë e theksuar edhe në nivel të vendit, sidomos tek popullata shqiptare.

Taravari siguroi ambasadorin Bejlin se qytetarët  e Gostivarit janë të përcaktuar për integrimin e vendit në NATO dhe BE, dhe se pjesa dërmuese e popullatës në Gostivar, këtë orientim do ta dëshmojnë edhe përmes referendumit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat