Ekspertët: Anëtarësimi në NATO e bën Maqedoninë vend të sigurt - Bota Sot
Ekspertët: Anëtarësimi në NATO e bën Maqedoninë vend të sigurt

Maqedonia

E hënë, 22 tetor 2018

Ekspertët: Anëtarësimi në NATO e bën Maqedoninë vend të sigurt

Më: 21 shtator 2018 Në ora: 16:34
Sekretari i NATO-s, Stoltenberg dhe kryeministri maqedonas, Zoran Zaev

Ekspertët e sigurisë konsiderojnë se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO në masë të madhe do të përforcojë kapacitet e organeve të sigurisë në luftën kundër terrorizmit global.

Sipas ekspertëve të sigurisë, kthimi i një pjesë të caktuar të shtetasve të Maqedonisë nga viset e prekura nga lufta në Siri dhe vendet e tjera, paraqet kërcënim real për Maqedoninë.

Këto komente vijnë pasi në raportin e fundit të Departamentit amerikan të Shtetit për terrorizëm dhe dhunë ekstremiste, është theksuar se “Maqedonia bashkëpunon me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në përpjekjet anti-terroriste dhe është në koalicionin botëror për humbjen e ISIS-it”.

Bllagoja Markoski nga Forumi Ballkanik për Siguri, konsideron se me vet faktin që mbi 180 persona nga Maqedonia kanë marrë pjesë në luftërat e huaja në Lindjen e Mesme dhe një pjesë e madhe e tyre përkatësisht mbi 80, tanimë janë kthyer në Maqedoni, me vete bartin ideologjinë e ISIS-it.

“Qëllimi i anëtarësimit të Maqedonisë në NATO është që vendin ta bëjë më të sigurt. Anëtarësimi i vendit në aleancë do të përforcojë rrjetin e informimit mes strukturave të sigurisë së vendit dhe strukturave të NATO-s dhe në këtë aspekt mund të veprohet në masë të madhe në aspektin e parandalimit të akteve që kërcënojnë sigurinë e vendit”, konsideron Markoski.

Në raportin e DASH-it, thuhet se “Qeveritë e Maqedonisë theksojnë se pjesëtarët dhe simpatizantët e IS-it janë të pranishëm në vend. MPB dhe agjencitë e zbulimit vlerësojnë se së paku 150 shtetas të Maqedonisë kanë shkuar për t’ju bashkangjitur grupeve terroriste në Siri dhe Irak. Nga ato, 30 janë vrarë, 40 edhe më tej janë të pranishëm, ndërsa 80 prej tyre janë kthyer në Maqedoni”.

Ekspertët në këtë lëmi vlerësojnë se strukturat e sigurisë së vendit duhet të punojnë më tepër në detektimin e celulave prej ku rekrutohen personat që bëhen pjesë e luftarave të huaja.

Samet Shabani, hulumtues i çështjeve që lidhen me radikalizmin, vë theksin edhe në nevojën e socializimit të personave të cilët janë kthyer nga luftërat e huaja, por edhe familjes më të gjërë.

“Aktualisht në Maqedoni nuk ka programe aktive për risocializim dhe riintegrim të të burgosurve (apo edhe familjarëve të tyre) për vepra penale të ndërlidhura me përfshirje në luftëra të huaja. Madje, gjatë qeverisjes së kaluar, të burgosurit si dhe familjarët e tyre janë ballafaquar me një sërë parregullsi në raport me institucionet publike. Sidoqoftë, qeveria aktuale në mars të këtij viti ka miratuar strategji për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, ku mes tjerash është paraparë program për riintegrim të të burgosurve si dhe familjarëve të tyre”, thotë Shabani.

Përderisa, Stefan Buxhakoski ekspert për çështje të sigurisë, për Radion Evropa e lirë theksoi se Maqedonia si shtet ka rol aktiv në luftën globale kundër terrorizmit, megjithatë anëtarësimi në aleancën veri-atlantike do të kontribuojë në masë të madhe në përforcimin e kapaciteteve në aspektin preventiv sa i përket luftës kundër terrorizmit.

Edhe Buxhakoski, thotë se pjesëmarrja e shtetasve të Maqedonisë në luftërat e huaja vendin e bën të ndjeshëm ndaj sulmeve terroriste dhe duhet angazhuar në mënyrë institucionale në deredikalizimin e tyre.

“Maqedonia si shtet për shkak të pozitës së saj specifike në aspektin gjeostrategjik si dhe për shkak të asaj se është shtet multietnik, gjithmonë është në rrezik të shkaktimit të akteve terroriste dhe për këtë arsye përcaktimi për tu bërë pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian do të thotë më shumë siguri në kuadër të një sistemi global”, vlerson Buxhakoski.

Në raportin e DASH-it, njëherësh është vënë theksi në angazhimin e Qeverisë së Maqedonisë së fundmi në “forcimin e legjislacionit dhe forcimin e kapaciteteve për luftën kundër terrorizmit dhe financimin e tyre, si dhe forcimin e sigurisë së internetit dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtar”./rel

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test