A do të dalë elektorati i VMRO-së në referendum?

Maqedonia

A do të dalë elektorati i VMRO-së në referendum?

Më: 23 shtator 2018 Në ora: 11:59
Foto ilustrim

Vetëm një javë para mbajtjes së referendumit, në bazë të atmosferës së krijuar, njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se një pjesë e elektoratit të partisë opozitare VMRO-DPMNE do të dalë të votojë në referendum edhe pse janë kundër marrëveshjes Maqedoni-Greqi për çështjen e emrit.

Megjithatë, mbetet e paqartë se nëse ky numër i votuesve do të jetë i mjaftueshëm që referendumi të dalë i suksesshëm.

“Një pjesë e madhe e tyre (anëtarësisë së VMRO-DPMNE-së) e kanë të qartë rëndësinë e këtij momenti, e kanë të qartë se bëhet fjalë për një çështje shumë serioze që përcakton ardhmërinë e vetë shtetit dhe gjithë kjo atmosferë e krijuar, edhe nga vizitat e vetë krerëve të shteteve më me ndikim të perëndimit në Maqedoni, do të nxisin tek ata edhe atë sensin, përkatësisht ndjenjën që të dalin të votojnë dhe të kontribuojnë për shtetin e tyre”.

“Lënia e hapësirës që të vendosin ashtu siç vlerësojnë vetë qytetarët nga ana e kreut të VMRO-DPMNE-së dhe porositë e qarta të qendrave vendimmarrëse, krijon hapësirë që pjesa dërmuese e elektoratit të partisë maqedonase të dalë për të votuar në referendum”, thotë Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike.

Ndërkaq, Lubco Gerogievski lideri i parë i VMRO-DPMNE-së në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se ai personalisht do të dalë të votojë në referendum, sepse siç thekson ai, “nëse shkon huq referendumi, Maqedonia edhe më tej do të mbetet dhe do të quhet Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë më së paku për 30 vitet e ardhshme”.

Georgievski, duke komentuar qëndrimin e kreut të VMRO DPMNE Hristian Mickoski që anëtarësia e kësaj partie të vendos vetë se a duhet të dalë në referendum apo ta bojkotojë të njëjtin, vlerëson se nën hije, krerët e partisë synojnë që anëtarësinë ta orientojnë kah bojkoti.

”Nuk është problem nëse ata i ftojnë zgjedhësit e tyre që të paraqiten sipas bindjes së tyre. Për mua është pak problem që te paraqitjet e funksionarëve të lartë të VMRO-DPMNE-së unë shoh pak politikë të bojkotit te zgjedhësit. Këtu paraqitet problemi. Për shkak se nuk është bash ajo: dhënia e vullnetit të lirë”, thotë Georgievski ish-kryetar i VMRO-DPMNE-së, sipas të cilit poenta e këtij referendumi është “që të krijohet atmosferë nga pushteti, se opozita e ka për obligim që të votojë ndryshimet kushtetuese që janë pjesë e marrëveshjes Maqedoni-Greqi, për të cilin populli është deklaruar”.

Brenda kësaj jave edhe ish-ministri Nikolla Todorov, tashmë deputet i VMRO-DPMNE-së tha se ai personalisht do të dalë të votojë në referendum, megjithëse tha se vota e tij do të jetë kundër marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit.

Nga ana tjetër, Mitko Gaxhoski konsideron se “mungesa e një qëndrimi preciz për referendumin” do të nxjerr në pah dallimet në VMRO lidhur me këtë çështje.

“Varësisht se kush çfarë interesa përfaqëson, në atë mënyrë dhe do të sillet në referendum”, thotë Gaxhoski.

Përderisa VMRO-DPMNE nuk është e kyçur në fushatën për referendumin, megjithatë lideri kësaj partie Hristian Mickoski për mediat ka deklaruar se nëse referendumi del i suksesshëm dhe shumica prononcohet pro marrëveshjes Maqedoni-Greqi edhe VMRO DPMNE do ta mbështesë këtë vendim të shprehur të qytetarëve. Referendumi do të mbahet më 30 shtator. Nëse në referendum arrihet pragu prej 50 përqind, plus një votues i trupit elektoral, kjo sipas ekspertëve, do ta detyrojë edhe VMRO-në të votojë pro ndryshimeve kushtetuese që janë pjesë e marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit./rel

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat