Partitë politike vazhdojnë fushatën për t’i bindur qytetarët të votojnë “pro” në referendumin e 30 shtatorit

Maqedonia

Partitë politike vazhdojnë fushatën për t’i bindur qytetarët të votojnë “pro” në referendumin e 30 shtatorit

Më: 24 shtator 2018 Në ora: 09:48
Ilustrim

Partitë politike parlamentare të cilat janë shprehur se do të mbështesin marrëveshjen me Greqinë në referendumin e 30 shtatorit, gjatë ditës së djeshme kanë vazhduar aktivitetet e tyre në kuadër të fushatës.

Telegrafi Maqedoni ju sjell të përmbledhura aktivitetet e partive, të cilat dje kanë mbajtur takime me qytetarët.

BDI ka qëndruar para banorëve të Komunës së Likovës ku të pranishmëve i është bërë me dije se data 30 shtator do të sjell perspektivë për vendin andaj nga BDI porositën se duhet të votohet “për Maqedoninë Evropiane”.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti para banorëve të Likovës tha se këto janë momente vendimtare se a do të rreshtohemi në bllokun progresiv apo do rreshtohemi pranë bllokut regresiv.

“Sot janë dy blloqe në veprim, ai perëndimor dhe ai lindor. Tash më 30 shtator votohet për gjëra madhore, nuk është problem se dalim në një referendum të rëndomtë dhe do të hedhim votën tonë pro një marrëveshje. Kjo marrëveshje nuk është aq e rëndomtë, por është një materie që prodhon stabilitet, siguri, marrëdhënie të mira ndëretnike, ndërfqinjësorë, ekonomike, cilësi në arsim dhe shëndetësi por edhe cilësi në drejtim dhe administrimit të shtetit”, tha mes tjerash Ali Ahmeti.

Partia maqedonase në pushtet LSDM, dje ka qëndruar në disa qytete për takime me qytetarët, ndërsa kryetari i saj Zoran Zaev nga Gjevgjelia, tha se nuk duhet të presim edhe 27 vite tjera që ta kapim trenin që e çon Maqedoninë në Evropë.

“Të gjithë do t’i gëzohemi vendimit historik të 30 shtatorit. Gjithë jemi të vetëdijshëm para çfarë vendimi jemi. Ky është një nder për këtë gjeneratë. E di se kemi popull të përgjegjshëm, që kujdeset për fëmijët dhe pasardhësit e tyre”, tha mes tjerash Zoran Zaev.

Lëvizja Besa e Bilall Kasamit ka zhvilluar takime në qytetin e Kërçovës, Ohrit dhe Strugës. Bilall Kasami në fjalim e tij, në mes tjerash theksoi se anëtarësimi në NATO dhe BE, do të garantojë siguri të plotë dhe reforma gjyqësor.

“Poashtu e rëndësishme është edhe hapja e negociatave dhe aty do shihen politikanët e përgatitur në aspektin profesional dhe me integritet të plotë politik dhe shumë qartazi do bëhet dallimi mes politikanëve të korruptuar që vlera të vetme i kanë folklorizmat dhe politikanëve që dinë të punojnë dhe të sjellin të mira në shoqëri. T’i themi “po” Evropës si shqiptar e jo si përqindje”, tha Bilall Kasami.

Ndërsa PDSH të shtunën mbajti tubim në Tetovë, në sallën e sportit të shkollës së mesme medicinale, prej ku kryetari i kësaj partie Menduh Thaçi, ju bëri thirrje qytetarëve që më 30 shtator të dalin masovikisht në votim dhe të përkrahin marrëveshjen me Greqinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat