Çarshia e Shkupit skenë e promovimit, por jo e investimeve

Maqedonia

Çarshia e Shkupit skenë e promovimit, por jo e investimeve

Më: 28 shtator 2018 Në ora: 10:04
Çarshia e Shkupit

Çarshia e Shkupit gjatë periudhës së fundit ka qenë pjesë e agjendave ditor të më shumë funksionarëve të lartë shtetëror. Në prag të referendumit, nëpër kalldrëmin e saj javëve të fundit pothuajse ka kaluar i gjithë kori diplomatik. Ndonëse kryeministri Zoran Zaev dhe kabineti i tij gati për çdo ditë kanë qëndruar në Çarshi, mirëpo vizita e cila bëri më tepër bujë ishte ajo e përfaqësues së lartë të Bashkim Evropian, Federica Mogherinit.

Defilimi i shumë funksionarëve të lartë shtetëror të vendit tonë, por edhe të huajve nëpër rrugicat e çarshisë, tregon qartë se ky kompleks historik ka peshë të madhe kulturore. Megjithatë, realiteti në të cilën për momentin gjendet dhe zhvillohet Çarshia e Shkupit, fatkeqësisht i ngjanë një anarkie të plotë. Për shumicën e esnafit të Çarshisë, prezenca e pushtetarëve nuk është një tregues se diçka mund të përmirësohet në këtë pjesë historike të Shkupit.

Keqpërdorimi i imazhit të Çarshisë për arritjen e një qëllimi të caktuar, siç shprehen dyqanxhinjtë, vazhdon të bëhet vit pas viti. Ndërkohë kujdesi institucional dhe sundimi i Ligjit në këtë anë të kryeqyteti pothuajse fare nuk ekzistojnë. Mungesa e pastërtisë, sigurisë dhe ndriçimit në orët e natës përfshinë vetëm një pjesë të kaosit që funksionon në këtë pjesë të Shkupit. Nga ana tjetër, rrënimi i objekteve historike dhe ngritja e “kullave” brenda natës, respektivisht uzurpimi i hapësirës publike paraqet temë në vetë.

Njëri prej zërave më kritik kur bëhet fjalë për statusin e Çarshisë së Shkupit dhe gjendjes së tij, pa dyshim është esnafi i moçëm Diamant Nagavci.

Kur flet për situatën e viteve të fundit në Çarshi, ai për Koha, shprehet i zhgënjyer për degradimin që i bëhet këtij monumenti historik. Fluksin e madh të pushtetarëve në çarshi, Nagavci e ndërlidh me pronën të cilën shteti vazhdon të ketë në posedim, gjegjësisht ai shton se Maqedonia nga vitet e 90-ta e këndej me qëllim apo pa qëllim nuk ka përpiluar asnjë program për ri ngritjen e këtij kompleksi.

“Çdo tridhet vite, Çarshia kalon nëpër disa faza të rënies, ngritjes (shkëlqimit), respektivisht shkatërrimit dhe ndërtimit. Fatkeqësisht, edhe pse kjo nuk duhet të ndodhë, megjithatë zhvillimet politike brenda në shtet dhe rajon kanë ndikuar shumë që kjo qendër e dikurshme ekonomike të dëmtohet skajshmërish. Për momentin jemi duke kaluar fazën kur pushtetet si ky i sodit dhe ato të mëhershmit nuk kanë plan të ndërtimit të një Strategjie për funksionimin e plotë të saj. Faji i shtetit në krijimin e këtij kaosi në Çarshi është se një pjesë bukur e mirë e dyqaneve janë në pronë e saj, pastaj pronë e Bashkësisë Fetare Islame dhe një pjesë tjetër në pronë të Kishës Ortodokse, gjegjësisht me keqpërdorimin e këtyre pronave është krijuar edhe kaosi urban dhe ai kulturor”, thotë Nagavci.

Ndryshe, në vitin 2008 në Parlament i miratua Ligjit për mbrojtjen e Çarshisë së Shkupi si pjesë posaçme e trashëgimisë kulturore. Qëllimi primar i këtij Ligji, siç njoftuan atëherë zyrtarët, ishte mbrojtja e atyre objekteve me rëndësi të veçantë kulturore, mbikëqyrje e punimeve dhe zhvillimeve të përgjithshme që lidhen me të kaluarën e saj historike. Por, opinioni gjatë këtyre 15 viteve të kaluara është dëshmitar se në Çarshi janë shkelur e dispozita të shumta ligjore dhe procedura të ndryshme gjatë revitalizimit apo ndërtimit të objekteve të reja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat