VMRO-DPMNE: Referendumi i falsifikuar

Maqedonia

VMRO-DPMNE: Referendumi i falsifikuar

Më: 5 tetor 2018 Në ora: 23:51
VMRO-DPMNE

Komiteti Qendror i VMRO-DPMNE-së nuk e pranon rezultatin e referendumit duke e vlerësuar si të falsifikuar dhe do të dorëzojë kallëzim penal kundër më shumë se 200 personave të involvuar në këshillat zgjedhore. Ky komitet ka marrë vendim që urgjentisht të formohen shtabe komunale zgjedhore që do të funksiononin deri pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale, ndërsa u bëjnë thirrje qytetarëve për unitet.

“Bëjmë thirrje për unitet të qytetarëve për të rrënuar politikat e gabuara të Zaevit, Dimitrovit, Sheqerinskës e të tjerëve që çojnë vendin prapa. Nevojitet një unitet gjithë popullor me qëllim të mbrojtjes së Maqedonisë”.

Nga partia në pushtet LSDM-ja u kanë bërë thirrje deputetëve të opozitës, siç thonë, që janë për BE dhe NATO të marrin përgjegjësi dhe t’i vazhdojnë proceset në Kuvend, duke përsëritur qëndrimin se kërkesat e opozitës janë të palogjikshme dhe se amnisti nuk do të ketë.

“Nëse Mickoski dhe udhëheqësia e VMRO-DPMNE-së, vazhdojnë me shpikjen e kërkesave tjera të palogjikshme, të fokusuar në amnisti, atëherë zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e parakohshme të cilat duhet të organizohen menjëherë për të mirën e shtetit. Mickoski nuk do të mund të ik nga vullneti i qytetarëve”.

Burime të Tv Klan Maqedoni pohojnë se lideri i integristëve Ali Ahmeti, edhe sot ka vazhduar kontaktet me krerët e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së në përpjekje për të siguruar, sikundër thuhet, unitet ndëretnik dhe brenda etnik me qëllim që të evitohet kriza politike. Kjo nënkupton arritjen e konsensusit parlamentar mes të gjitha grupimeve politike për ndryshimin e kushtetutës, konform Marrëveshjes së Prespës për zgjidhjen e emrit.

Në të kundërtën duket se zgjedhjet e jashtëzakonshme do të jenë të paevitueshme. Po këto burime thonë se momenti është historik dhe si i tillë kërkon zgjidhje historike, në të kundërtën i gjithë procesi, por edhe paqja dhe stabiliteti i vendit do të viheshin në pikëpyetje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat