Zekiri: OBRM-PDUKM-ja të del nga bërthama e Gruevskit dhe të deklarohet nëse është për BE dhe NATO

Maqedonia

Zekiri: OBRM-PDUKM-ja të del nga bërthama e Gruevskit dhe të deklarohet nëse është për BE dhe NATO

Më: 6 tetor 2018 Në ora: 12:59
Muhamed Zekiri

“Udhëheqja e OBRM-PDUKM-së dhe Hristijan Mickoski duhet të dalin nga bërthama e Nikolla Gruevskit dhe në mënyrë të qartë të thonë se nëse janë për BE dhe NATO apo janë kundër”.

Këtë sot e deklaroi nënkryetari dhe deputeti i LSDM-së, Muhamed Zekiri.

“Zgjidhja është e qartë. Vendimi është ose BE dhe NATO ose izolim dhe pasiguri. Nëse janë për BE dhe NATO tash është momenti kur duhet të heqin dorë nga kërkesat për amnistinë e Gruevskit dhe bashkëpunëtorët e tij dhe t’u bëjnë thirrje deputetëve të OBRM-PDUKM-së ta respektojnë vullnetin e qytetarëve në Kuvend”, deklaroi Zekiri.

Ai ceki se asnjëherë në 20 vitet e kaluara asnjë ide politike nuk ka marrë përkrahje të madhe nga qytetarët dhe shtoi se mbi 600 mijë vota kanë dhënë mesazh të qartë se janë për të ardhme në BE dhe NATO.

“Tash është momenti të gjithë deputetët, posaçërisht deputetët e OBRM-PDUKM-së, ta ndjekin këtë vullnet të shprehur në mënyrë të qartë e 600 mijë qytetarëve që janë për BE dhe NATO”, theksoi Zekiri.

Ai shtoi se të gjitha parametrat ekonomik në mënyrë precize tregojnë se procesi i përafrimit drejt BE-së dhe NATO-s pozitivisht ndikon ndaj ekonomisë.

“Nëse Mickoski dhe kryesia e OBRM-PDUKM-së vazhdojnë të shpikin kërkesa jologjike, është e qartë se dëshirojnë të bllokojnë rrugën e Maqedonisë drejt BE-së dhe NATO-s dhe ta kthejnë vendin në izolim dhe pasiguri”, deklaroi Zekiri.

Zekiri tha se janë në komunikim të vazhdueshëm me deputetët e OBRM-PDUKM-së me qëllim të sigurojnë dy të tretën në Kuvend.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat