Afaristët, kundër organizimit të zgjedhjeve të parakohshme

Maqedonia

Afaristët, kundër organizimit të zgjedhjeve të parakohshme

Më: 7 tetor 2018 Në ora: 15:17
Maqedoni

Afaristët në Maqedoni janë shprehur kundër idesë së kryeministrit Zoran Zaev për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pasi siç kanë theksuar ata, një gjë e tillë do të bllokojë zhvillimin e biznesit.

Nga ana tjetër, ekspertët e ekonomisë konsiderojnë se nëse organizohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, goditje më të madhe do të marrë sektori privat.

Këto reagime vijnë pas qëndrimit të kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev se “nëse dështojnë bisedimet me opozitën për të siguruar dy të treta e votave të nevojshme për ndryshimet kushtetuese, si pjesë e Marrëveshjes për çështjen e emrit, atëherë zgjedhjet e parakohshme të cilat mund të mbahen në fund të nëntorit, mbeten si alternativë e vetme”.

Eksperti i ekonomisë, Visar Ademi, thotë për Radion Evropa e Lirë se në një situatë të tillë ekonomia do të lihet mënjanë dhe e gjithë energjia do të orientohet në zhvillimet politike.

“Sektori privat do të jetë më konservativ sa i përket investimeve të tyre nga profiti. Në aspektin tjetër, investitorët e huaj nuk do të dëshirojnë (të investojnë) në një vend ku ka forca konservative që dëshirojnë ta shohin Maqedoninë jashtë NATO-s dhe BE-së, dhe për këtë arsye do të jenë më restriktivë në vendimin për të derdhur kapitalin e tyre në këtë vend”, thotë Ademi.

Përderisa Lube Tërpeski, ish-guvernator i Bankës Popullore të Maqedonisë për Radion Evropa e Lirë vlerëson se në këtë moment i gjithë fokusi duhet vënë në atë që Marrëveshja për çështjen emrit me Greqinë të jetësohet dhe vendi të anëtarësohet sa më parë në strukturat euroatlantike. Në këtë mënyrë, thotë Tërpeski, “zhvillimi ekonomik do të marrë një impuls të fuqishëm, ngase me anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE për kompanitë nga Maqedonia hapet një treg prej 500 milionë konsumatorësh”.

“Më së pari duhet të bëhen të gjitha përpjekjet që të sigurohen dy të tretat e votave dhe të miratohen ndryshimet kushtetuese, për zgjedhje gjithmonë ka kohë të mjaftueshme. Tani me interes jetik është të mos lëshohet shansi historik për të ardhmen e vendit, kur dyert për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE janë të hapura”, thotë Tërpeski.

Ai shton se zgjedhjet do të bllokojnë çdo aktivitet në planin ekonomik nëse organizohen zgjedhjet dhe gjithçka do jetë e orientuar kah përfitimi i votave.

 

“Për një ose dy muaj sa do të zgjasë fushata dhe organizmi i zgjedhjeve, e gjithë qeveria do të jetë e preokupuar me zgjedhjet”, thotë Lube Tërpeski, duke shtuar se askush në një situatë të tillë nuk merr guximin të investojë, gjersa klima politike nuk është e qëndrueshme.

Nga ana tjetër edhe eksperti i ekonomisë, Visar Ademi, thotë se politikat makro-ekonomike në rast të organizmit të zgjedhjeve do të kalojnë në plan të dytë ose të tretë dhe mjetet e buxhetit do të orientohen në organizimin e zgjedhjeve.

“I gjithë devijimi, i gjithë fokusi do të jetë në krijimin e një konsensusi politik dhe nuk do të jetë fokusi në çështjet ekonomike”, thotë ai.

Ndryshe, edhe nga Oda Ekonomike e Maqedonisë kanë kërkuar që “procesi pas referendumit të përfundojë sa më shpejtë”, pasi siç kanë theksuar, mungesa e stabilitet politik mund të çojë në anulimin e prodhimtarisë që kanë planifikuar kompanitë si dhe do të jenë më të ndjeshme për të bërë investime.

Përderisa Qeveria e Maqedonisë shpreh bindjen se parashikimet për rritje prej mbi 3 për qind do të realizohet, por ekspertët thonë se ky parashikimi është tepër ambicioz, duke theksuar se Maqedonia do të jetë lumtur nëse mbetet, siç thonë ata, te një “zero pozitive”./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat