Dëshmitari i "27 prillit": Pushteti kishte planifikuar që të pushtohet Kuvendi dhe Ivanovi të shpallë gjendje lufte

Maqedonia

Dëshmitari i "27 prillit": Pushteti kishte planifikuar që të pushtohet Kuvendi dhe Ivanovi të shpallë gjendje lufte

Më: 9 tetor 2018 Në ora: 16:20
Pamje nga ngjarja e 27 prillit

Nikolla Vojminovski, i cili është i dënuar për tentimin për vrasjen e Ziadin Selës më 27 prill, sot para Gjykatës Penale dëshmoi për të enjten e përgjakshme në Parlament, me ç'rast tha se nga bisedat të cilat i ka dëgjuar para ngjarjeve të 27 prillit, është planifikuar që presidenti Gjorge Ivanov të shpallë gjendje lufte dhe t'i arrestojë disa persona.

Duke iu përgjigjur pyetjeve ai tha se në Kuvend ka hyrë me qëllim që t'ju ndihmojë të lënduarve. Tha se disa ditë para ngjarjeve të 27 prillit është takuar me ish-zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Andonov, mu para Kuvendit, ku kanë qenë edhe deputetët Luben Arnaudov dhe Sasho Vasilevski  dhe një person me emrin Lupço. Andonov dhe Arnaudov kanë thënë se mënyra e vetme për t'u zgjidhur situata është të hapen dyert e Kuvendit, siç u bë më 27 prill dhe se presidenti Ivanov do të shpall gjendje lufte dhe se do të arrestohen disa persona të caktuar.

Dëshmitari Ordançe Sokollovski, i punësuar si montues i sistemeve të sigurisë në "Sensor", kompani e cila i ka instaluar kamerat e sigurisë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë dhe që është e obliguar për mirëmbajtjen e tyre, tha se më 28 prill 2017 ka qenë në Kuvend me urdhrin e prokurorit publik dhe të eprorit të tij në kompani dhe ka qenë prezent në dhomën për video mbikëqyrje.

Së bashku, siç tha, me disa shefa policie kanë hyrë në dhomën monitoruese për të konstatuar se si është gjendja dhe ka vërejtur se kanë qenë dy kompjuterë të cilët nuk funksionojnë dhe janë shuar. Kur i kanë kyçur kanë parë se u mungojnë dy hard disqe në të cilat, saktësoi, bëhet njëfarë regjistrimi dhe se shërbejnë vetëm për ndjekjen e punës së VRD (Video rekorderët digjital) në monitorët kontrollues. Me urdhër janë qasur drejt nxjerrjes së incizimeve prej VRD për të cilën u janë sjellë USB dhe u është thënë se prej cilës kamerë duhet të nxirren filmimet dhe për cilën periudhë kohore. Menjëherë më pas USB-të ia kanë dorëzuar një personi të autorizuar ndërsa për këtë ka edhe procesverbal.

Në përgjigjen e pyetjeve të parashtruara Sokollovski tha se kamerë të sigurisë ka vetëm para sallës për pres konferenca në Kuvend, por jo edhe brenda në sallë dhe shtoi se gjithmonë kur kanë hyrë në sistemin monitorues me ta ka qenë edhe një i punësuar në Kuvend, si edhe se për çdo hyrje në sistemin për video mbikëqyrje nevojitet një shifër.

Me dëshminë e tij përfundoi seanca e sotme në Gjykatën Penale. Seanca e re është caktuar për më 16 tetor në orën 10 kur duhet të japë deklaratë dëshmitari i mbrojtur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat