Kundërshtohet mandati i dy anëtarëve të Këshillit Gjyqësor - Bota Sot
Kundërshtohet mandati i dy anëtarëve të Këshillit Gjyqësor

Maqedonia

E mërkurë, 24 tetor 2018

Kundërshtohet mandati i dy anëtarëve të Këshillit Gjyqësor

Më: 11 tetor 2018 Në ora: 09:50
Ilustrim

U debatua me vite, por avokatja Marta Gusar tani edhe formalisht problematizon përzgjedhjen e dy gjykatseve për anëtare të Këshillit gjyqësor, me propozim të Parlamentit dhe presidentit. Ajo ka dorëzuar padi në Gjykatën Administrative.

Avokatja Marta Gusar nga Shkupi dorëzoi dy padi pranë Gjykatës Administrative, ku kërkon të anulohet përzgjedhja e dy anëtareve aktuale të Këshillit gjyqësor që daton prej vitit 2013. Bëhet fjalë për mandatet e Lidija Kanaçkoviqit dhe Violeta Bogojeskës, që u zgjodhën me propozim të Parlamentit dhe presidentit të shtetit. Në paditë që i siguroi edhe Alsat, avokatja Gusar argumenton se para përzgjedhjes, edhe Kanaçkoviq edhe Bogojeska kanë qenë gjykatëse. Ndërsa sipas Kushtetutës dhe ligjeve, gjykatësit nuk mund të zgjidhen në Këshillin gjyqësor me propozim të Kuvendit apo presidentit, por vetëm nga radhët e juristëve të shquar me përvojë 15 vjeçare.

“Në këtë mënyrë, Kuvendi anashkalon këto kushte dhe përzgjedh anëtarë të Këshillit gjyqësor nga radhët e gjykatësve, ku aspak si kusht nuk i trajton vlerësimet nga kryerja e funksionit si gjykatës dhe mundëson që të zgjidhen gjykatës që nuk kanë marrë nota më të larta”.

Në paditë kërkohet që Gjykata administrative të marrë masë kohore, me çka dy anëtaret e Këshillit do të përjashtoheshin nga vendimmarrja, deri në vendimin final. Avokatja Gusar thotë se do ta presë epilogun lidhur me vendimin, para se edhe publikisht t’i shpalosë argumentet e saj. Përzgjedhja e gjykatësve administrativ në Këshillin gjyqësor ishte problematizuar edhe më herët, por tani për herë të parë çështja po merr epilog institucional. Në rast se pranohet padia, pritet që të problematizohen shumë, ndoshta edhe të gjitha vendimet e Këshillit gjyqësor në disa vitet e kaluar. I tërë ky rast paraqitet në kohën kur përgatiten ndryshimet e Ligjit për këshillin gjyqësor, por edhe para zgjedhjeve të ardhshme të anëtarëve të këtij Këshilli, që duhet të jenë me propozim të presidentit dhe Kuvendit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test