Aleanca për Shqiptarët kërkon shkarkimin e Bujar Osmanit nga Qeveria

Maqedonia

Aleanca për Shqiptarët kërkon shkarkimin e Bujar Osmanit nga Qeveria

Më: 11 tetor 2018 Në ora: 17:06
Foto

Aleanca për Shqiptarët kërkon që zv.kryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani, të shkarkohet menjëherë, pasi gjatë ditës së djeshme Prokuroria Speciale njoftoi se ka nisur hetime kundër tij në lëndën me emrin “Pacienti”.

“Aleanca për Shqiptarët i bën thirrje Kryeministrit Zaev që menjëherë të shkarkojë Bujar Osmanin duke pasur parasysh seriozitetin e akuzave të ngritura kundër tij për keqmenaxhim të fondeve shtetërore në vitin 2010, ndërsa ai ishte Ministër i Shëndetësisë. Pas kësaj aktakuze, Bujar Osmani nuk e ka legjitimitetin moral për të udhëhequr agjendën e integrimit evropian e as strategjinë e qeverisë për të zbatuar prioritetet e reformave urgjente të BE-së që rrjedhin nga Marrëveshja e Përzhinos, të cilat janë kryesisht të lidhura me reformën e sektorit të drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

Nga ASH shtojnë se qëndrimi i Osmanit do të dëmtonte seriozisht pavarësinë e gjyqësorit, duke pasur parasysh nivelet e larta të ndërhyrjes politike në gjyqësor të theksuara në të gjitha vlerësimet e pavarura, së fundmi nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian.

“BDI ka qeverisur vendin bashkë me OBRM-PDUKM për një dekadë, me skandale korruptive në shkallë të gjerë, kapje të shtetit dhe raste të motivuara politikisht të montuara kundër shqiptarëve të pafajshëm. Imuniteti që zyrtarët e korruptuar të BDI-së kanë gëzuar në qeverinë e Zaev ka nxitur mosbesim të konsiderueshëm në gjyqësorin midis qytetarëve, siç është theksuar edhe nga OSBE-ja në raportin e saj të parë vlerësues për punën e Prokurorisë Speciale”, shtojnë nga ASH.

Nga kjo parti theksojnë se kjo qeveri nuk është më kredibile. Sipas tyre, shkarkimi i menjëhershëm i Bujar Osmanit dhe i ministrave të tjerë të kabinetit të dyshuar për korrupsion duhet të hapë rrugën për krijimin e një qeverie teknike që do t’i kishte numrat e nevojshëm për të kaluar reformat kushtetuese të nevojshme për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës dhe realizimin e barazisë së plotë të komuniteteve në Republikën e Maqedonisë, përpara se vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

“Mosveprimi i Kryeministrit Zaev tani do të dëmtonte edhe më seriozisht besimin e qytetarëve në gatishmërinë e qeverisë për integrimin në NATO dhe BE dhe në këtë mënyrë do të rrezikonte procesin që është iniciuar më 27 prill 2017 për të ankoruar përgjithmonë Maqedoninë me Perëndimin”, përfundojnë nga ASH.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat