Shteti me fushata do t’i bindë prindërit t'i vaksinojnë fëmijët

Maqedonia

Shteti me fushata do t’i bindë prindërit t'i vaksinojnë fëmijët

Më: 12 tetor 2018 Në ora: 19:29
Foto ilustrim

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë me fushata do të luftojë kundër anti-vaksinistëve. Është planifikuar të ndërmerren një sërë aktivitetesh me të cilat prindërit do të edukohen  për rëndësinë e vaksinës dhe nevojën për imunizim.

Ministri i shëndetësisë Venko Filipçe, për “Meta”, thotë se është përgatitur strategji komunikuese dhe edukative me të cilën nëpërmjet mediave sociale, kopshteve dhe shkollave, do të arrihet tek prindërit.

– Duam t’u paraqesim burime të kontrolluara dhe shkencërisht të verifikuara të informatave në lidhje me imunizimin. Nëpërmjet komunave dhe vetëqeverisjes lokale planifikohen debate publike dhe tribuna ku jemi të gatshëm t’u përgjigjemi pyetjeve të prindërve. Për ne është jashtëzakonisht i rëndësishëm bashkëpunimi me mediat dhe atyre u kushtojmë vëmendje të madhe. Ata janë partner dhe aleat i joni për informim të drejtë, qasjes tek të dhënat e sakta dhe të verifikuara dhe kuptohet na duhet kritikë objektive.  Vetëm me edukim dhe prezantim të fakteve të sakta mund të triumfojmë mbi fushatat anti-vaksinim dhe të zmadhojmë përfshirjen e imunizimit – thotë Filipçe.

Përndryshe, siç është tash më e njohur, ndërkaq përkujton ministri, dy vaksina më të vjetra janë zëvendësuar me të reja dhe bashkëkohore.

“Për të mundësuar gjithë këtë e zmadhuam buxhetin për imunizim për 70 përqind. Është fakt se dy-tre vitet e fundit përfshirja është duke rënë gradualisht, si rezultat i fushatave anti-vaksinim, që paraqet problem global, e jo vetëm tek ne. Me këtë shkallë të përfshirjes nuk sigurohet imunitet kolektiv dhe është e mundur të paraqiten sëmundje që më parë kanë qenë të çrrënjosura. Pikërisht për këtë arsye, imunizimi është një prej prioriteteve të Ministrisë së shëndetësisë, duke pasur e parasysh se investimi në fazën parandaluese e ka dëshmuar arsyeshmërinë klinike, sociale dhe farmako-ekonomike”,  shtoi Filipçe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat