Maqedonia pasnesër i nis bisedimet për aderim në NATO - për rezultatin përfundimtar vendos Kuvendi

Maqedonia

Maqedonia pasnesër i nis bisedimet për aderim në NATO - për rezultatin përfundimtar vendos Kuvendi

Më: 16 tetor 2018 Në ora: 16:32
Maqedonia pasnesër i nis bisedimet për aderim në NATO - për rezultatin përfundimtar vendos Kuvendi

Bisedimet parainkuadruese për hyrjen e Maqedonisë në NATO fillojnë zyrtarisht të enjten dhe të premten në Bruksel, me vizitën e anëtarëve të Komitetit për integrim në NATO dhe të Komitetit punues për integrim në selinë e Aleancës ku do të takohen me përfaqësues të saj, të cilat do të jenë të kyçura në procesin e vërtetimit të harmonizimit të vendit me standardet e NATO-s.

Me këtë sesion të bisedimeve në Bruksel, Maqedonia de fakto e hap fazën e fundit në raportet me NATO-n para anëtarësimit në Aleancë për çka vendit mori ftesë në Samitin në korrik në Bruksel këtë vit.

Këtë e theksoi sot në konferencën për shtyp koordinatori nacional për NATO-n, Stevo Pendarovski, i cili së bashku me zëvendëskryeministren dhe ministren e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska dhe shefin e diplomacisë Nikolla Dimitrov folën për pjesën teknike të bisedimeve, por edhe për kontestin e përgjithshëm në të cilin ata do të fillojnë, respektivisht debat kuvendor për propozimin për inkuadrimin drejt ndryshimeve kushtetuese që dalin nga Marrëveshja me Greqinë për zgjidhjen e kontestit për emrin.

"E gjithë kjo duhet të shkojë përmes implementimit të Marrëveshjes së Prespës, siç edhe na dikton vullneti dominues politik i shumicës së qytetarëve të Maqedonisë. Sipas të gjitha analizave të bëra nga institucionet relevante dhe individë, anëtarësimi ynë në NATO dukshëm do ta rrisë sigurinë dhe stabilitetin e vendit, por në të njëjtën kohë do të jetë edhe shembull pozitiv dhe kontribut drejt sigurisë rajonale, stabilitetit dhe prosperitetit", tha Pendarovski.

Ai sqaroi se Komiteti për integrim i NATO-s, i cili është nivel ministror ka qenë formalisht i riaktivizuar pasi që Maqedonia e mori ftesën për anëtarësim, ndërsa në nivelin operativ Komiteti punues për integrim, në krye të të cilit është ai, menjëherë ka filluar me realizim të detyrimeve, që dalin nga programi për vazhdim të reformave, që është hartuar në nivel të projektit. Fokusi primar në këtë program që do të prezantohet në mbledhjen e parë është i orientuar drejt sundimit të drejtësisë, reformave gjyqësore, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformave në sektorin mbrojtës, por edhe në shërbimet e sigurisë, si dhe çështjet juridike, që dalin nga anëtarësimi i Maqedonisë në NATO.

Bisedimet do të zhvillohen në dy sesione, e para do t'i përfshijë çështjet politike dhe mbrojtëse për plotësimin e kritereve, ndërsa e dyta çështjet e ndërlidhura me resurset, sigurinë, aspektet juridike, si dhe kontributin e Maqedonisë në buxhetin e përbashkët të Aleancës. Në këtë fazë të bisedimeve parimisht do të vërtetohet harku kohor për kompletimin e tyre.

Pendarovski theksoi se procesi do të duhej të përfundojë deri nga fundi i dhjetorit të këtij viti, në janar të vitit 2019 është paraparë që Maqedonia ta nënshkruajë protokollin për inkuadrim me të drejtë të pjesëmarrjes në të gjitha trupat dhe organet e NATO-s, por pa mundësi që të votojë, ndërsa pranimi në anëtarësim të plotëfuqishëm do të ndodhë pasi vendet anëtare ta ratifikojnë këtë protokoll për qasje, secili individualisht në parlamentet e tyre kombëtare. Në rastin me Maqedoninë është paraparë që Greqia të jetë vendi i parë anëtar që do ta ratifikojë këtë protokoll, pasi vendi ta përfundojë pjesën e vet të obligimeve nga Marrëveshja e Prespës.

"Me fitimin e anëtarësimit të plotëfuqishëm do të realizohet qëllimi i ynë strategjik, ndërsa anëtarësimi në NATO do të jetë garancë e fuqishme për stabilitetin, sigurinë, mosndryshimin e kufijve dhe ruajtjen e integritetit territorial. Anëtarësimi në NATO është parakusht i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, stimulimin e investimeve, vende më mirë të paguara të punës dhe prosperitet", tha ministrja Shekerinska.

Ajo potencoi se tani është momenti që të gjithë deputetët të dëshmojnë se janë të gatshëm që fjalët dhe premtimet që paraprakisht i kanë dhënë lidhur me atë se anëtarësimi në NATO është qëllim strategjik, t'i shndërrojnë në vepra.

"Të gjitha partitë politike janë të ballafaquara para mundësisë historike, Me shtypjen e butonit për, do të marrin pjesë në hapat përfundimtare nga maratona 27 vjeçare për anëtarësim të atdheut tonë në NATO. Suksesi i Maqedonisë varet nga vendimi i tyre", tha ministrja Shekerinska.

Ajo theksoi se negociatat paraqasëse dhe ndryshimet kushtetuese janë procese të cilat po zhvillohen paralelisht. 

"Qartë është se vendimi që do ta sjellë Kuvendi është vendim i cili de fakto do të vendos nëse Maqedonia do të bëhet anëtare e NATO-s në një të ardhme shumë të afërt. Dhe atë secili deputet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë duhet ta dijë, se prej secilit prej tyre varet nëse Maqedonia do ta shfrytëzojë këtë mundësi. Nëse flasim për NATO dhe BE, tani është momenti që këtë ta dëshmojë në vepër. Secila nga ato vota do të ndikojë nëse Maqedonia do ta hapë derën e NATO-s", tha Shekerinska.

Nëse kjo nuk ndodhë, shtoi ministrja e Mbrojtjes, dhe te opozita mbisundojnë interesat partiake, e jo shtetërore, atëherë Kuvendi në afatin sa më të shkurtë të mundur do të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ku, siç tha, "do të sigurojmë shumicë prej dy të tretave". 

"Edhe në të dyja variantet Maqedonia dhe synimet e saja strategjike duhet të fitojnë dhe nuk kemi asnjë dilemë se kjo do të ndodh", theksoi Shekerinska.

Ministri Dimitrov duke e përsëritur rëndësinë e hyrjes së Maqedonisë në NATO lidhur me garancinë e sigurisë së shtetit, por edhe mundësinë për prosperitetin e saj të mëtutjeshëm theksoi se me Marrëveshjen me Greqinë e cila ishte një parakusht për zhbllokimin e procesit që vendi të marrë ftesë në të vërtetë afirmohet identiteti i Maqedonisë.

"Ne e morëm përgjegjësinë, tani procesi është në Kuvendin e RM-së, investimi është i madh, në njërën anë e kemi anëtarësimin në NATO, organizata më e fuqishme mbrojtëse në botë, njëkohësisht ky është edhe klub ekonomik pasi anëtarësimi sjell shumë përfitime ekonomike për ne, ky është mesazh se Maqedoni të qëndrojë këtu në këto kufij", theksoi Dimitrov.

Ai theksoi se pasiguria nëse procesi nuk arrin është edhe nëse do të ketë qeveri të re greke që do të dojë ta hapë këtë proces dhe në çfarë pozita do të jetë ajo qeveri.

Shefi i diplomacisë shtoi se shumica e madhe e qytetarëve pothuajse 94 për qind e atyre të cilët dolën në referendum u deklaruan "PËR" dhe shtoi se për momentin situata është paradoksale kur për vendin pozitiv të popullit janë të nevojshme më shumë vota kundër.

"Nuk guxojmë të ikim nga përgjegjësia jonë, nuk ka patriotizëm më të madh nga marrja e përgjegjësisë dhe vizionit për të ardhmen", porositi Dimitrov duke shtuar se tani për momentin gjithçka është në duart e deputetëve.

Për herë të parë në bazë të të drejtës për vetërregullim e përcaktojmë identitetin e popullit të Maqedonisë me njohjen e gjuhës maqedonase. Do të hyjmë në NATO si maqedonas së bashku me të gjithë bashkëqytetarët tanë, do ta ndajmë fatin në Maqedoninë tonë dhe hapim rrugë për të filluar negociata me BE-në. Në anën tjetër ka pasiguri, madje edhe më keq nga pasiguria sepse provat shkojnë në atë drejtim, nëse NATO-ja do të jetë e gatshme dhe nëse ka rrugë tjetër, tha Dimitrov, duke përkujtuar në mesazhet e shpeshta të cilat sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg i dha në periudhën e fundit se nuk ka plan B lidhur me anëtarësimin e Maqedonisë, përveç implementimit të Marrëveshjes së Prespës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat