Osman Kadriu: Amnistia për vepra të rënda nuk mund të ndodhë

Maqedonia

Osman Kadriu: Amnistia për vepra të rënda nuk mund të ndodhë

Më: 16 tetor 2018 Në ora: 16:34
Osman Kadriu

Ekspert i çështjeve kushtetuese Osman Kadriu, thotë se amnistia për ngjarjet e 27 prillit s’mund dhe s’duhet të ndodhë.

Sipas tij, falja e personave që akuzohen për vepra të rënda kundër shtetit do të ishte dëm i madh për sundimin e së drejtës dhe për shtetin juridik.

“Nuk e kuptova prononcimin e shkurtë të Zaevit rreth ngjarjeve të 27 prillit. Nuk e di se cila është brendia e kësaj deklarate. Por, unë s’mendoj se ai pretendon apo synon ndonjë amnisti për të gjithë ata persona që akuzohen për vepra të rënda kundër shtetit”, deklaroi Osmani për Alsat.

Sipas tij, Maqedonia ndodhet në krizë juridike ku nuk sundon drejtësia dhe një hap i tillë i faljes do të ishte dëm për shtetin juridik.

“Mendoj se edhe nga aspekti juridik dhe politik fare nuk qëndron të miratohet një ligj i tillë, në këtë fazë dhe në këtë krizë në të cilën gjendet Maqedonia, e cila gjendet në krizë juridike, ku nuk sundon drejtësia, nuk sundon e drejta dhe të miratohet një ligj i tillë do të ishte dëm i madh për sundimin e së drejtës dhe për shtetin juridik”, thotë Kadriu.

Eksperti Kadriu nuk e di nëse ka ndonjë ndërlidhje mes këtyre dy çështjeve por thotë se kalimi i marrëveshjes është një obligim që Maqedonia duhet ta përmbushë.

“Është evidente se një prej kritereve që duhet Maqedonia ta realizojë buron nga marrëveshja e arritur në mes të Maqedonisë dhe Greqisë për ermin e për realizimin e së cilës tani duhen ndryshimet Kushtetuese. Për këtë vendim kërkohen 2/3 e numrit të përgjithshëm të deputetëve, që do të thotë në përbërjen e tashme Parlamenti ka 120 deputetë ,e nevojiten së paku 80 deputetë të votojnë “për”. Qeveria është propozues i këtyre ndryshimeve. Zaev e arsyetojë nevojën për këto ndryshime, duke i prezantuar ato si interes nacional dhe shtetëror, me kusht që pastaj të ndodhë edhe Ratifikimi i Marrëveshjes nga pala greke”, pohon Kadriu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat