Reformat në gjyqësor mbahen peng nga vullneti politik

Maqedonia

Reformat në gjyqësor mbahen peng nga vullneti politik

Më: 20 tetor 2018 Në ora: 16:20
Foto ilustrim

Autoritetet qeveritare thonë se reformat në sistemin gjyqësor në Maqedoni, mbeten prioritet pavarësisht sfidave politike me të cilat përballet vendi.

Nga Ministria e Drejtësisë, për Radion Evropa e Lirë thonë se tanimë kanë hartuar pakon e ligjeve që kanë të bëjnë me punën e gjykatave, si dhe Ligjin për Këshillin Gjyqësor, përderisa në përgatitje e sipër, përkatësisht në fazë finale, shtojnë nga ky dikaster, është ligji për parandalimin e korrupsionit, dhe konfliktin e interesave, por miratimi i tyre në Parlament do të varet nga zhvillimet në këtë institucion ligjvënës.

Për miratimin e një pjese të këtyre ligjeve siç është ligji për gjykatësit dhe ligji për prokurorë që në vete do të duhet të ngërthej dhe zgjidhjet ligjore për funksionimin e mëtejmë të Prokurorisë Speciale Publike, nevojiten dy të tretat e votave.

Në njërën anë, pushteti shprehet optimist se për këto ndryshime ligjore që kanë të bëjnë me reformat në sistemin gjyqësor do të kenë dhe mbështetjen e opozitës, partia maqedonase në opozitë VMRO DPMNE disa herë kanë theksuar se Qeveria e Zoran Zaevit ka varrosur shtetin ligjor dhe se gjyqësori vepron sipas direktivave të social-demokratëve.

Simonida Kacarska nga Instituti për Politika Evropiane, për Radion Evropa e Lirë thotë se reformat në gjyqësorë mbahen peng nga mungesa e vullnetit politik, përkatësisht mbahen peng nga zhvillimet politike që kanë pasuar pas referendumit për çështjen e emrit me Greqinë.

“Një pjesë e konsiderueshme e reformave në sistemin gjyqësor mbeten peng e zhvillimeve nëse mund ti quaj “çështjeve të mëdha politike” që kanë të bëjnë me referendumin dhe marrëveshjen e Prespës”, thotë Kacarska.

Por, Bashkim Selmani ish gjykatës, aktualisht ligjërues në Universitetin e Tetovës, për Radion Evropa e Lirë thotë se edhe kjo përbërje qeveritare, përmes gjyqësorit synon të realizojë interesat politike.

“Jo që nuk kanë filluar reformat në sistemin gjyqësor, por gjyqësia në Maqedoni me idenë se eventualisht mund të ketë amnisti për të akuzuarit e ngjarjeve të 27 prillit është e thyer edhe moralisht“, thotë Selmani.

Nga ana tjetër, Dane Iliev, ish kryetar i Gjykatës Supreme, thotë se çdo garniturë qeveritare synon që të ushtrojë influencë në pushtetin gjyqësor. Reformat, shton ai janë të dhimbshme, por të pashmangshme nëse Maqedonia synon të bëhet pjesë e familjes evropiane.

“Gjithçka varet nga vullneti politik. Çdo pushtet inicion reforma, por qytetarët nuk arrijnë të ndjenë se gjyqësori është i pavarur. Qytetarët u besojnë gjithnjë e më pak gjykatave, kjo sepse çdo pushtet në forma të ndryshme ushtron ndikimin e saj në sistemin gjyqësorë”, thotë Iliev.

Ndryshe, Maqedonia me hapjen e Kapitullit 23, që ka të bëjë me sistemin gjyqësor dhe të drejtat themelore, Maqedonia edhe formalisht ka nisur procesin e verifikimit të njohur si “screening”, që paraqet fillimin e fazës finale të përgatitjeve për fillim të negociatave me Bashkimin Evropian.

Ekspertët në këtë lëmi konsiderojnë se pikërisht reformat në sistemin gjyqësor do të përcaktojnë dhe dinamikën e hapërimit të Maqedonisë drejt anëtarësimit në BE./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat