Neziri: Qeveria në Shkup vuri në tavolinën e pokerit tërë kapitalin e vendit, ishte dramë e madhe - Bota Sot
Neziri: Qeveria në Shkup vuri në tavolinën e pokerit tërë kapitalin e vendit, ishte dramë e madhe

Maqedonia

E premte, 16 nëntor 2018

Neziri: Qeveria në Shkup vuri në tavolinën e pokerit tërë kapitalin e vendit, ishte dramë e madhe

Më: 20 tetor 2018 Në ora: 18:34
Xhelal Neziri

Kuvendi i Maqedonisë miratoi një ditë më parë me 80 vota pro nismën për ndryshimet kushtetuese.

Këtë veprim analisti i çështjeve politike në Maqedoni, Xhelal Neziri, e ka vlerësuar lartë, pasi sipas tij kjo çështje mund të kishte dhe një fund tragjik.

”Ka qenë një votim që evitoi një krizë të thellë e të rrezikshme në Maqedoni e rajon, i cili mund të dështonte edhe nëse vetëm një deputet do të ndërronte mendje apo do të pamundësohej të shtypte sustën e gjelbër. Hapja e ndryshimeve kushtetuese u bë me numrin minimal të asaj shumice të dyfishtë në Maqedoni, andaj mund të thuhet se qeveria në Shkup mbrëmë vuri në tavolinën e pokerit tërë kapitalin e vendit, e pse jo edhe të rajonit. Një dramë e madhe që mund të kishte edhe një fund tragjik”.

Xhelal Neziri madje konsideron se partitë shqiptare në pushtet në Maqedoni, si dhe ato në opozitë, nuk do të kenë hapësirë për kushtëzime më të forta nëse deputetët maqedonas nuk pranojnë korrigjim të brendshëm Kushtetutës.

”Tani kur u miratua hapja e Kushtetutës, qeveria duhet të propozojë deri te Parlamenti katër amendamentet që ngërthejnë Marrëveshjen e Prespës me të cilën zgjidhet çështja e emrit me Greqinë. Pra, amendamente me te cilat emri “Republika e Maqedonisë” ndryshohet në “Republika Veriore e Maqedonisë” dhe mënjanohen apo riformulohen pjesët e Kushtetutës të cilat nga Greqia janë parë si irredentizëm, siç është neni për përkujdesjen e Shkupit për pakicat maqedonase në vendet tjera”.

Sipas analistit Xhelal Neziri, edhe pse për këtë Qeveria ka kohë prej 15 ditëve t’i propozojë në Parlament ato amendamente, mësohet se të njëjtat do të futen në procedurë parlamentare që nga java e ardhshme.

Ai thotë se tani presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov, s’mund të jap vendime në këtë proces ndonëse mund të bëhej pengesë për shkak të lidhjes së tij me ish-strukturën udhëheqëse të VMRO-DPMNE-së.

”Në tërë këtë proces presidenti i shtetit nuk luan asnjë rol, pasi nga praktika e deritashme, ai do të mund të bënte pengesa nga shkaku i lidhjes së tij me ish-strukturën udhëheqëse të VMRO-DPMNE-së. Nga partitë shqiptare ka zëra se do të kërkohet që të korrigjohet kushtetuta në pjesën ku të drejtat gjuhësore dhe jo vetëm të shqiptarëve lidhen me kuotën prej 20 përqindëshin, por në këtë situatë janë të vogla gjasat që të përkrahet çfarëdolloj amendamenti tjetër jashtë Marrëveshjes së Prespës”.

”Nga ana tjetër, partitë shqiptare në pushtet dhe opozitë nuk do të kenë hapësirë për kushtëzime më të forta nëse deputetët maqedonas nuk do të pranojnë të korrigjohet kushtetuta në pjesën e rregullimit të brendshëm, pasi në atë mënyrë do ta bllokonin procesin e zgjidhjes së emrit, për të cilin kanë investuar shumë Uashingtoni,Brukseli dhe Londra”.

Në prononcimin e tij për klankosova.tv, analisti  Neziri, ka folur edhe për aryset që shtatë deputetët e VMRO-DPMNE,  votuan pro ndryshimeve kushtetuese. Ai ka vë në pah edhe reflektimin e përjashtimit të tyre në raportin e forcave në Kuvendin e Maqedonisë.

”Kjo parti e djathtë në skenën politike të Maqedonisë ka qenë ndër të parat që ka përqafuar një lidhje të fortë me Perëndimin, duke vendosur si orientim strategjik integrimin në NATO dhe BE që nga viti 1992, kur Maqedonia fitoi pavarësinë si shtet”.

” VMRO-DPMNE  e ka të qartë se një Marrëveshje si kjo e Prespës nuk do të jetë e mundur të arrihet asnjëherë në të ardhmen, duke marrë parasysh qëndrimin e fuqishëm të Greqisë gjatë gati tri dekadave të kaluara. Sa për ilustrim, në vitin 1992, menjëherë pas pavarësimit të Maqedonisë, në Greqi është arritur një konsensus i gjerë që ka përcaktuar linjat e kuqe të Athinës në raport me zgjidhjen e çështjes së emrit me Shkupi. Presidenti i shtetit grek, qeveria, parlamenti dhe kisha greke janë dakorduar që atëherë se nuk do të pranojnë asnjë emër për fqinjin verior që përmban fjalën “Maqedoni”, e cila lidhet me të kaluarën antike të këtij vendi për të cilën Greqia pretendon se i takon historisë së saj”.

Andaj, sipas Xhelal Nezirit afër 20 deputetë të VMRO-DPMNE-së kanë qenë të gatshëm t’i përkrahin këto ndryshime për shkak se nuk kanë dashur që partia e tyre të mbajë përgjegjësi për dështimin e këtij procesi, për djegien e kësaj shanse dhe për krizën politike, ekonomike dhe të sigurisë që do të pasonte.

”Nga ana tjetër, rastet gjyqësore të ngritura kundër ish-udhëheqësisë së VMRO-DPMNE-së në krye me ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, si dhe anashkalimi i presidentit dhe opozitës në procesin e negocimit të zgjidhjes së emrit me palën greke, nuk kanë lënë shumë hapësirë në këtë parti që të tregohet më e arsyeshme përballë një momenti të këtillë historik, nga i cili varet e ardhmja e vendit”.

Ai thekson se votimi i shtatë deputetëve duket të jetë rezultat i një ujdie të arritur midis pushtetit dhe opozitës, e që kanë të bëjnë me procesin e “pajtimit kombëtar”, siç e quan kryeministri Zoran Zaev, apo për një amnisti të pjesshme – siç u pa në opinion.

”Nuk është e përjashtuar mundësia që këto deputetë të kenë vepruar në koordinim me kryesinë e VMRO-DPMNE-së, e cila me këtë rast arriti katër qëllime: të evitojë zgjedhjet e parakohshme, ku do të kishte pësuar një debakël; të mos bëhet përgjegjëse për dështimin e procesit dhe kështu të fshihet nga harta e politikës perëndimore, pra të sanksionohet me lista të zeza si organizatë jopolitike dhe destruktive; të heqë qafe një problem që peshoi rëndë gjatë qeverisjes dhjetëvjeçare të kësaj partie; dhe të mos mbajë përgjegjësi për kompromisin e bërë me Greqinë”.

Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov, pas këtij procesi nuk ka më pushtet për të vënë pengesa ka thënë më tej analisti Xhelal Neziri, derisa theksoi se ka një gjë që ai mund ta realizojë para se të përfundojë mandatin e tij në prill të 2019-ës.

”Presidenti Ivanov nuk ka më pushtet për të penguar procesin. Të vetmen gjë që mund të bëjë ai para përfundimit të mandatit në prill të vitit të ardhshëm është të shpallë një abolicion apo falje për të gjithë funksionarët e VMRO-DPMNE që hetohen nga Prokuroria Speciale, janë duke u gjykuar apo iu është shqiptuar dënimi i plotfuqishëm”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test