Sela: Në Kushtetutë të figurojë gjuha shqipe

Maqedonia

Sela: Në Kushtetutë të figurojë gjuha shqipe

Më: 24 tetor 2018 Në ora: 18:18
Zijadin Sela

Partitë opozitare shqiptare ashtu siç kanë paralajmëruar do të intervenojnë me amendamente në ndryshimet kushtetuese për të avancuar sipas tyre pozitën juridike të shqiptarëve në shtet.

Lëvizja Besa e Bilall Kasamit tashmë ka hartuar katër amendamente me të cilat kërkon që shqiptarët të jenë shtetformues, që gjuha shqipe të definohet si gjuhë zyrtare dhe të hiqet emërtimi si gjuhë që e flasin mbi 20 për qind e popullatës në vend.

Gjithashtu kërkohet ndryshimi i nenit 49 të Kushtetutës që të mos ketë diskriminim në mbrojtjen e entiteteve tjera që jetojnë jashtë vendit si dhe neni 75 me qëllim që të gjendet mënyrë që kryetari i shtetit të mos mund të bllokoj ligjet që miratohen në Kuvend.

“Propozimet të cilat ne i japim për përdorimin e gjuhës shqipe është diçka që të gjitha subjektet politike shqiptare e thonë vazhdimisht, çështjen e preambulës e propozojmë si version që ofron një koncept i cili është më afër realitetit shoqërorë që e kemi në RM””, u shpreh Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa të Kasamit.

Ndërhyrje me amendamente ka paralajmëruar edhe Aleanca për Shqiptarët. Kreu i saj Zijadin Sela kërkon që amendamentet të mbështeten edhe nga partitë tjera me qëllim që të arrihet një kushtetutë e cila do të promovojë të drejtat dhe jo t’i sanksionojë.

“Plani dhe strategjia jonë është që amendamentet të kalojnë dhe ndryshimet kushtetuese ta gjejnë shtetin më të drejtë. Kushtetua të promovojë të drejta dhe liri e jo të sanksionojë. Kjo është ideja e ASH-së sepse vetëm kështu ka kuptim anëtarësimi i vendit në NATO dhe BE”, tha Sela.

Duke komentuar qëndrimin e BDI-së e cila propozimet e opozitës i sheh si mungesë kreativiteti dhe tentim për pikë politike, nga Aleanca për Shqiptarët dhe lëvizja Besa thonë se një qëndrim i tillë i partisë së Ahmetit është në kundërshtim me deklaratën e përbashkët, baza kryesore e të cilës është përkrahja e ndërsjellë për çështjet shqiptare.    

Ndryshimet kushtetuese për çështjen e emrit pritet të hënë të dorëzohen në Kuvend. Bëhet fjalë për katër amendamentet që kryesisht kanë të bëjnë  me harmonizimin e kushtetutës me marrëveshjen e Prespës.

Kryeministri Zaev ka deklaruar se deri në propozimin e tyre në Kuvend, draft amendamentet do të diskutohen edhe me deputetët përfshirë edhe ata të opozitës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat