Zaevi a po del “haxhi-pishman”?!

Maqedonia

Zaevi a po del “haxhi-pishman”?!

Më: 26 tetor 2018 Në ora: 07:07
Zoran Zaevpropozime

Në 1 vjetorin e ngjarjeve të 27 prillit, kur u pyet për amnisti, ose falje të mundshme për të përfshirët në natën e përgjakshme, Kryeministri Zoran Zaev u përgjigj:

“Ligji duhet të vlejë njëjtë për të gjithë. Patjetër duhet të ketë sundim të së drejtës në Maqedoni dhe gjithnjë të përcillet ideja që kjo të mos përsëritet asnjëherë më. Ndëshkimi duhet të ekzistojë, njëjtë siç duhet të ekzistojë edhe shpërblimi. Në këtë aspekt unë mendoj se askush nuk mendon, por edhe nëse dikujt i shkon nëpër mend, është mirë të heqë dorë”, tha Zoran Zaev, Kryeministër.

Para 4 muajsh, Kryeministri i vendit e akuzonte kundërshtarin e tij politik se po kërkon amnistinë e kolegëve në këmbim të mbështetjes për Marrëveshjen e Prespës, por për kryeministrin një gjë e tillë as nuk mund të imagjinohej, transmeton TV21.

“Amnisti, direkte, indirekte, tërthorazi, nuk kam të drejtë as unë, as Mickoski e askush tjetër në shtet në të cilin po luftojmë për reformën më të rëndësishme, në gjyqësor dhe sundimin e së drejtës dhe ligji të vlejë për të gjithë njësoj, kjo është e paimagjinueshme”, u shpreh Zoran Zaev, Kryeministër.

Akuzat e Zaevit ndaj Miciskot se po kërkon lirimin e kolegëve ishin edhe më të forta në takimin e tretë të liderëve më 23 korrik, kur palët s’po binin dakord për referendumin dhe Marrëveshjen e Prespës.

“Kur e pa se nuk ekziston as shansi më i vogël që të dakordohemi për të folur për amnisti direkte ose indirekte, sot ishte i detyruar që deklarativisht të dorëhiqet nga qëllimi i tij i turpshëm që me çdo kusht të gjejë shpëtim për mentorët dhe kolegët e tij”, tha Zoran Zaev, Kryeministër.

Por pas pohimeve të shumta që nuk ka falje për të përfshirët e 27 prillit, kur u ndje ngushtë për atë se s’i kapte dot 80 votat për ndryshimet Kushtetuese, kryeministri kërkoi të zgjatet dora e pajtimit mes maxhorancës dhe opozitës.

“Ja një mundësi që të falim. Dërgoj mesazh për pajtim dhe falje për 27 prillin dhe ato që ndodhën. Të ulemi dhe ta bëjmë këtë. Unë jam i gatshëm. Ju bëj thirrje, edhe shumicën, edhe opozitën. Po, e di se kjo ka kosto, dhe jam i gatshëm që ta paguaj koston politike. Politikanët vijnë, e shkojnë, por Maqedonia dhe populli ynë mbesin përgjithmonë”, u shpreh Zoran Zaev, Kryeministër.

Për arritjen e kësaj u propozua formimi i një Komisioni kuvendor për Pajtim Nacional, por deri më tani mbetet e paqartë se kë dhe si do të falë ky komision. Por a është kjo përzierje e politikës në sistemin gjyqësor? Kryeministri Zaev thotë se jo. I pyetur për kërkesën e liderit të opozitës Hristijan Mickoski, për amnisti për të gjithë të përfshirët në 27 prill, dje Zaevi nuk foli me retorikën e disa muajve më parë, se nuk ka amnisti as direkte e as indirekte, por u përgjigj:

“Dua t’i shqyrtoj të gjitha këto propozime, gjithnjë me vëmendje i kam parë të gjitha propozimet e opozitës, por edhe një herë po përmend se nuk guxojmë ta rrënojmë shtetin ligjor, sepse sundimi i së drejtës, reformat në drejtësi janë ndër më të rëndësishmet”, tha Zoran Zaev, Kryeministër.

Trupin për pajtim dhe falje për të përfshirët në 27 prill Kryeministri Zaev nuk e konsideron amnisti. Megjithatë brenda 4 muajve, nga e paimagjinueshmja, tani falja e deputetëve të përfshirë në dhunën në Kuvend dalë nga dalë po bëhet gjithnjë e më e prekshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat