Opozita shqiptare kërkon amnisti për të gjithë

Maqedonia

Opozita shqiptare kërkon amnisti për të gjithë

Më: 30 tetor 2018 Në ora: 16:19
Kuvendi i Maqedonisë, 27 prill, 2017.

Partitë e opozitës shqiptare në Maqedoni kanë kundërshtuar propozim-ligjin e amnistisë të VMRO-DPMNE-së për ngjarjen e dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë, më 27 prill të vitit të kaluar.

Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se në rast të një amnistie të mundshme, atëherë ajo duhet të përfshijë edhe rastet tjera që janë të ndërlidhura me pushtetin e kaluar, e ku viktima apo të dënuar me burg janë shqiptarët.

“Konsiderojmë se të gjitha rastet e montuara të regjimit të kaluar të përfshihen në një ligj eventual të amnistisë. Siç e dimë shumë shqiptarë si në rastet ‘Sopoti’, ‘Alfa’, ‘Monstra’, ‘Kumanova’ dhe raste tjera më të vogla, janë si rezultat i proceseve të montuara nga regjimi i kaluar. Ata sot i kemi të dënuar me burgime të përjetshme, ndërsa opinioni nuk ka dëgjuar asnjë dëshmi të besueshme mbi fajësinë e tyre. Konsideroj se nëse mund të flitet për ndonjë amnisti, atëherë ajo patjetër që duhet të jetë gjithëpërfshirëse”, thotë Elmi Aziri nga Aleanca për Shqiptarët, duke shtuar se amnistia eventuale vetëm për 27 prillin është absolutisht e papranueshme, pasi kjo, sipas tij, do ishte precedentë që mund të përsëritej edhe në të ardhmen.

“Grupe të caktuara në periudha të caktuara në të ardhmen për një arsye apo motivi tjetër mund të ndërmarrin iniciativa të tilla për të sulmuar rendin kushtetuese. Në asnjë mënyrë nuk duhet të tolerohen mënyra anti-ligjore dhe organizime joformale për marrjen e pushtetit”, ka thënë tutje Aziri.

Forma e amnistisë e propozuar nga VMRO-ja, por edhe ajo e pajtimit kombëtar e propozuar nga kryeministri, Zoran Zaev kundërshtohet edhe nga njëri krah i Lëvizja Besa, e cila vepron në opozitë. Ajo vlerëson se çdo ndërhyrje në sistemin e drejtësisë do të kishte pasoja ndaj rendit juridik dhe pritjes së qytetarëve për sundimin e ligjit. Deputeti Fadil Zendeli thotë se pajtimi është i mirëseardhur, por duhet gjetur forma tjera gjithëpërfshirëse përmes realizimit të drejtave të të gjithë qytetarëve, qofshin ato individuale, etnike apo kolektive.

“Vlerësoj se nuk duhet amnisti në Maqedoni. Të gjithë ata që në çfarë do mënyre e kanë shkelur ligjin duhet të përgjigjen. Por, kuptohet se duhet të kemi sistem të drejtësisë të drejt, profesional, me qëllim që qytetarët të cilët kanë probleme me drejtësinë, të mund ta gjejnë atë kurse ata që kanë shkelur ligjin të marrin dënimin e merituar”, ka deklaruar Zendeli.

Amnistia e VMRO-DPMNE-së është kundërshtuar edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim, që është pjesë e Qeverisë së bashku me LSDM-në e kryeministrit, Zoran Zaev. Kreu i Qeverisë ka thënë se një propozim i tillë paraqet ndërhyrje në punën e gjyqësorit, ndërsa si formë tjetër për kapërcimin e 27 prillit ka propozuar falje dhe pajtim kombëtar, megjithatë pa saktësuar se çfarë nënkupton ajo, ndërhyrjen në gjyqësor për të rikualifikim të veprës apo miratim të ndonjë zgjidhjeje tjetër ligjore.

Për ngjarjet e dhunshme në Kuvend, për veprën penale “rrezikim terrorist të rendit kushtetues”, po gjykohen 30 persona, gjashtë prej tyre deputetë të VMRO-DPMNE-së, disa personalitete tjera, si aktorë, pjesëtarë të policisë, të sigurimit të Kuvendit dhe protestues të thjeshtë, të cilët më 27 prill 2017 kishin ndërhyrë në Kuvend në shenjë pakënaqësie pas zgjedhjes së Talat Xhaferit për Kryetar të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë nga LSDM-ja me partitë shqiptare. Nga dhuna në Kuvend më së rëndi e kishin pësuar Zijadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët, kreu i atëhershme i opozitës, tani kryeministër, Zoran Zaev dhe zyrtarë tjetër të partisë së tij social-demokrate.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat