Ziadin Sela: Nuk do të ketë bashkëpunim me OBRM-PDUKM-në

Maqedonia

Ziadin Sela: Nuk do të ketë bashkëpunim me OBRM-PDUKM-në

Më: 7 nëntor 2018 Në ora: 09:47
Ziadin Sela

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela, në një intervistë për Alsat ka folur rreth ndryshimeve kushtetuese, propozimin për falje, përfshirjen e Marrëveshjes së Ohrit në preambulën e Kushtetutës, si dhe pozitën e shqiptarëve në Maqedoni.

Ai tha se partia e tij do të kërkojë që në preambulën e Kushtetutës të theksohet se Maqedonia është shtet multi etnik.

Sipas Selës më e rëndësishme se sa Marrëveshja e Ohrit të futet në preambulë janë çështja e gjuhës shqipe dhe barazia etnike.

“Është gjuha, është fjalia e parë e preambulës e cila e ndan një komunitet etnik nga komunitetet tjera etnike, e cila thotë që qytetarët e Maqedonisë, populli maqedonas si dhe qytetarët tjerë që jetojnë, ne vetëm jetojmë në Maqedoni, s’paskemi të kaluar, s’kemi ndoshta edhe ndonjë të ardhme. Këto janë elemente që duhet të ndryshohen në Kushtetutë dhe të radhiten popujt pa ndonjë ndarje të një komuniteti nga një komunitet tjetër, por të gjithë popujt të llogariten të barabartë. Fjala që më së shumti përdoret nga 2001, por ndoshta edhe nga 91 është që Maqedonia është shoqëri multietnike, Maqedonia është shtet multietnik, ne do të kërkojmë që në Preambulë të futet edhe kjo fjalë, shtet multietnik, sepse ky është realiteti i Maqedonisë”, deklaroi Ziadin Sela.

Në pyetjen se a do të ketë bashkëpunim mes partisë së tij dhe OBRM-PDUKM-së, Sela tha se nuk do të bisedojë me të akuzuarit në këtë parti.

“Me eksponentë të veçantë brenda për brenda këtij subjekti, të cilët duhet të përgjigjen për rastet e mëhershme por edhe ato të 27-prillit, ne nuk do të bashkëpunojmë. Ndërsa, me subjekte politike të tjera ne jemi të hapur nëse interesat tona bashkohen”, tha Sela.

Ndërsa sa i përket iniciativës për amnistimin e të akuzuarve të 27 prillit, ai tha se këtë nuk do ta mbështesë asnjë politikan e as faktori ndërkombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat