Maqedoni, keq e më keq me ekonominë

Maqedonia

Maqedoni, keq e më keq me ekonominë

Më: 15 nëntor 2018 Në ora: 09:11
Maqedonia

Maqedonia renditet e 10-ta në botë në raportin “Doing Business” të Bankës Botërore, apo në vendin e pestë në Evropë sipas kushteve për udhëheqjen e biznesit në konkurrencën e 190 shteteve në botë. Mirëpo, krahas përmirësimit në pjesën e lëshimit të lejeve ndërtimore, ku renditemi në vendin e 13-të, dhe qasjes ndaj kredive në vendin e 12-të , megjithatë si shtet në disa fusha të tjera shënojmë rënie, shkruan gazeta Koha.

Nëse më parë ishim ndër më të mirët në botë – në vendin e 22-të për lehtësinë e fillimit të biznesit, tani jemi në vendin e 47-të që paraqet një rënie prej 25 vende në raport me një vit më parë për procedurat, kohën, harxhimet dhe kapitalin minimal të paguar për të filluar me punë një kompani me përgjegjësi të kufizuara. Njëherazi, kemi rënie për katër vende – nga vendi i 57-të në vendin e 53-të lidhur me fitimin e energjisë elektrike për bizneset ku nevojiten 100 ditë që një biznes të përfundojë procedurat dhe të lidhet me rrjetin elektrik. Rënie në vendin e 29-të, apo për 8 vende në raport me një vit më parë shënon tregtia tejkufitare apo koha dhe kostoja për të eksportuar produktin duke shfrytëzuar përparësitë krahasuese. Sivjet renditemi në vendin e 37-të, apo dy vende më dobët se një vit më parë lidhur me nënshkrimin e kontratave, apo për kohën dhe koston për të zgjidhur mosmarrëveshjen tregtare, si dhe cilësinë e proceseve gjyqësore.

Afaristët shprehen se raportet e ndryshme ndërkombëtare lidhur me rregulloret për biznesin, jo çdoherë e pasqyrojnë edhe realitetin, ku shpesh ajo çka parashikohet në letër, nuk është e transformuar tërësisht edhe në praktikë.

“Maqedonia në vazhdimësi edhe në vitet e kaluara renditej mirë lidhur me kushtet për udhëheqjen e biznesit, së paku sipas raportit të “Doing Business”. Mirëpo, realiteti që shkruhet në letër nuk korrespondon me gjendjen reale në terren dhe ballafaqimin për çdo ditë të bizneseve me probleme nga më të ndryshmet. Me fjalë të tjera, si shtet akoma kemi problem me sundimin e së drejtës, korrupsionin e kështu me radhë”, thotë për Koha, afaristi Menderez Kuçi.

Bile, sipas tij, nëse dëshirojmë me të vërtetë të shohim se në çfarë gjendje është biznesi në Maqedoni, atëherë duhet shikuar raportet për konkurrencën e ekonomisë vendore, ku renditemi ndër ekonomitë më të dobëta në Evropë, apo ekonomia e vendit është pozicionuar në vendin e 84-të duke shënuar rënie prej 22 vendeve në raport me vitin 2016.

“Në të ardhmen, në radhë të parë na nevojitet një stabilitet i gjithëmbarshëm politik, një vëmendje më të madhe për ekonominë që sikur është lënë pas dore, si dhe realizim më këmbëngulës i reformave në të mirë të qytetarëve dhe biznesit. Njëherazi, pres që edhe qortimi i radhës i faktorit të jashtëm të jetë për rezultatet e pritshme lidhur me reformat e ndryshme”, shton më tej Kuçi.

Nga Ministria e Financave thonë se për biznesin ka një rëndësi të madhe përmirësimi i rregullativës që e shënon ky raport, por edhe politikat që i zbaton Qeveria për trajtimin e barabartë të bizneseve.

“Për dallim prej më parë, tani nuk ekzistojnë presione politike ndaj sektorit të biznesit. Kthimi i TVSH-së kryhet në mënyrë teknike, shpejt dhe pa seleksionim. Kemi edhe përkrahje nga bizneset vendore që tregon se për ne, ka një rëndësi të madhe që sektori privat të ketë mundësi të barabarta që të shkojë para”, theksoi kohë më parë ministri i Financave, Dragan Tevdovski.

Sipas tij, punohet edhe në rregullativën për klimë më të volitshme për investitorët, për të cilët janë shumë të rëndësishme perspektivat për t’iu bashkangjitur BE-së dhe NATO-s.

Përmendet edhe integrimi i shtetit në Aleancën Veri-atlantike, që siç thuhet, së bashku me renditjen e mirë të “Doing Business”, do të jetë përkrahja më e madhe dhe kontribut për tërheqjen e investimeve në Maqedoni.

Ndryshe, raporti i fundit për konkurrencën e ekonomive vendore e rendit Maqedoninë më dobët si shtet në suaza globale në pjesën e gjyqësorit, tregjet ku bizneset pak kanë qasje dhe në infrastrukturë. Notat e dobëta në raport kanë të bëjnë me luftën kundër krimit të organizuar, mbrojtjen e dobët të pronësisë intelektuale dhe fizike, si dhe jo-efikasitetin e ligjeve. Në renditjen e dobët ka ndikuar edhe cilësia e rrugëve apo shërbimet e hekurudhës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat