Lojë e shërbimeve sekrete/ Gruevski u arratis si spiun

Maqedonia

Lojë e shërbimeve sekrete/ Gruevski u arratis si spiun

Më: 16 nëntor 2018 Në ora: 17:54
Nikola Gruevski

Disa detaje të reja janë mësuar rreth kalimit të ish kryeministrit të Maqedonisë Nikola Gruevski nga Shqipëria drejt Malit të Zi. Sipas burimeve e gjitha është një lojë e shërbimeve sekrete për t’i mundësuar Gruevskit që të futet i sigurt drejt Shqipërisë dhe po ashtu të largohet pa pasur asnjë shqetësim.

Burimet thonë se Nikola Gruevski dyshohet se është futur përmes pikës kufitare të Bllatës në Dibër i ndihmuar nga persona të ndryshëm.

Po të njëjtat burime bëjnë me dije se ish-kryeministri Maqedonas nuk është regjistruar në pikën e kalimit kufitar të Bllatës. Më pas ka mbërritur në Tiranë po ashtu i shoqëruar nga persona të sigurt. Pasi ka hipur në mjetin zyrtar të ambasadës së Hungarisë në Shqipëri Nikola Gruevski ka udhëtuar drejt Shkodrës duke mbërritur deri tek pika e kalimit kufitar të Hanit të Hotit.

Departamenti i Kufirit dhe Migracionit në Shqipëri bëri të ditur një ditë më parë se Nikola Gruevski ka bërë daljen nga Shqipëria në pikën kufitare të Hanit të Hotit teksa ndodhej në mjetin me targë CD 1013A në pronësi të Ambasadës Hungareze në Tiranë.

“Shtetasi Nikola Gruevski më datë 11.11.2018, rreth orës ora 19:11, ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Hanit të Hotit në drejtim të Malit të Zi, si pasagjer në automjetin me targë CD1013A, në pronësi të Ambasadës Hungareze në Tiranë.

Në datën 11.11.2018 për shtetasin Nikola Gruevski nuk ka patur asnjë njoftim në kufi apo shpallje si person në kërkim.

Interpol Shkupi në datë 13.11.2018, rreth orës 19.35 i ka dërguar Interpol Tiranës njoftimin për shpallje në kërkim ndërkombëtar për këtë shtetas”deklaroi Policia një ditë më parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat