Osmani-Dedaj: Do të vazhdojë bashkëpunimi mes Maqedonisë dhe Kosovës

Maqedonia

Osmani-Dedaj: Do të vazhdojë bashkëpunimi mes Maqedonisë dhe Kosovës

Më: 19 nëntor 2018 Në ora: 14:06
Bujar Osmani dhe Gjergj Dedaj

Zv.kryeministri i Maqedonisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, sot ka realizuar takim me ambasadorin e sapo emëruar të Republikës së Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj.

Osmani në takim shprehu shpresë se bashkëpunimi i deritanishëm i suksesshëm në mes dy shteteve, do të vazhdojë edhe gjatë mandatit të tij.

“Kemi një numër të projekteve të përbashkëta të cilat realizohen, siç është pika kufitare Bellanoc-Stançiq, si dhe një numër i projekteve të tjera nga programi për bashkëpunim ndërkufitar që janë duke u zhvilluar ose janë në pritje të realizimit, për suksesin e të cilave besoj se do të përkushtohemi bashkarisht”, theksoi Osmani.

Në takim u hapën edhe temat e progresit të dy vendeve në kuadër të integrimit evropian, si dhe progresi i përgjithshëm i rajonit në aspektin e perspektivave evropiane.

“Parlamenti dha dritën e pare të gjelbër për ndryshimet kushtetuese në përputhje me marrëveshjen e Prespës, me të cilën jo vetëm që u hap rruga për implementimin e detyrimeve sipas marrëveshjes, por gjithashtu krijoi kushte për përshpejtimin e procesit reformues të vendit”, theksoi Osmani.

Duke potencuar suksesin e Marrëveshjes së Prespës, por edhe më herët marrëveshjen e fqinjësisë së mirë me Bullgarinë, si nxitje edhe për vendet tjera në rajon, për të bërë përpjekje dhe më shumë guxim në tejkalimin e mosmarrëveshjeve të ndërsjella si një interes i përbashkët i të gjithë rajonit.

Në vazhdim, të dy bashkëbiseduesit ranë dakord se do të vazhdojnë të punojnë me përkushtim në drejtim të promovimit të  marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, në mënyrë që të mbështesin njëra-tjetrën në integrimet evropiane euroatlantike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat