DSK-ja do të ndahet nga Ministria e Brendshme

Maqedonia

DSK-ja do të ndahet nga Ministria e Brendshme

Më: 21 nëntor 2018 Në ora: 19:53
Pamje nga video

Qeveria ka zgjedhur modelin i cili parashikon që Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim të jetë organ i veçantë dhe jo në kompetenca të Ministrisë së Punëve të Brendshme siç ka qenë deri më tani. Nga ekzekutivi thonë se ky vendim është marr me qëllim që të mos ketë koncentrim të pushtetit në një institucion të vetëm. Zëdhënësi i Qeverisë Mile Boshnjakovski vlerëson se në këtë mënyrë do të evitohet keqpërdorimi i shërbimeve inteligjente dhe se sistem të tillë kanë shumica e shteteve evropiane.

“Është pranuar modeli i dytë, që DSK-ja të ndahet nga MPB-ja, model ky që është i pranuar thuajse ne të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian. Ky është edhe qëllimi ynë strategjik, për ku edhe jemi nisur. Ideja është që të zvogëlohet ose të mos ekzistojë koncentrim i pushtetit në shërbime. Kjo reformë nuk ka të bëj vetëm me DSK-në por edhe me reformat që janë në vijim në Inteligjencën ushtarake dhe në Agjencinë e Inteligjencës, do të thotë punohet për reforma gjithëpërfshirëse që filluan me formimin e Agjencisë Teknike Operative, që tani ekziston dhe funksionon. Në këtë mënyrë rritet kontrolli ndaj shërbimeve të sigurisë dhe pamundësohet keqpërdorimi i tyre siç ka ndodhur më herët”, u shpreh Mile Boshnjakovski, zëdhënës i Qeverisë.

Eksperti i sigurisë Lubomir Gjurçevski vlerëson se është zgjedhur opsioni më i mirë i mundshëm dhe se tani DSK-ja do të jetë tërësisht jashtë ndikimit politik. Sipas tij, gjatë qeverisjes së kaluar, shërbimet inteligjente janë përdorur për qëllime politike të pushtetarëve.

“DSK-ja në një sistem të veçantë politik ka funksionuar ashtu siç ka funksionuar. Në pajtim me ligjet dhe kompetencat e saj. Në momentin kur ne dolëm në një sistem tjetër politik demokratik, ne duhej të decentralizonim pushtetin dhe të largojmë gjithçka që përfaqëson politikë nëpër institucione, me qëllim për ndjekjen e atyre që nuk kanë qëndrim të njëjtë politik me pushtetin”, tha Lubomir Gjurçevski, ekspert juridik.

Në lojë kanë qenë tre modele, edhe atë që DSK-ja të mbetet nën hijen e MPB-së, të ndahet si institucion në vete ose të bashkohet me Agjencinë e Inteligjencës. Sipas propozimit të miratuar, DSK-ja do të ketë funksion parandalues, ndarje të qartë të autorizimeve, autonomi në hetime dhe do të jetë e pa politizuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat