Beteja për ekstradimin e Nikolla Gruevskit

Maqedonia

Beteja për ekstradimin e Nikolla Gruevskit

Më: 23 nëntor 2018 Në ora: 12:20
Nikolla Gruevski

Institucionet e Maqedonisë presin që kërkesa për ekstradimin e ish kryeministrit Nikolla Gruevski, të pranohet meqë sipas ministres së drejtësisë, Renata Deskoska, ajo është e bazuar në fakte të qëndrueshme juridike. Deklarata e tillë vjen pas njoftimit të ish kryeministrit se autoritetet hungareze kanë pranuar kërkesën e tij për azil politik, të bazuar në siç ka thënë, kërcënimet për jetën e tij, politizimin e sistemit të drejtësisë, e çështje tjera të theksuara në profilin e tij në Facebook.

“Kërkesa për azil është e arsyetuar me të gjitha argumentet e mundshme dhe nëse vendoset në bazë të procedurave juridike, ajo duhet të pranohet. Me Hungarinë edhe më parë kemi pasur bashkëpunim në raste tjera të ekstradimit dhe nuk besojmë se ky do të jetë rasti i parë që do të refuzohet”.

“Duke marrë parasysh gjithë procesin e arratisjes së Gruevskit dhe mbërritjes së tij në Budapest, shohim se kemi të bëjmë me përzierje të politikës, por ne si shtet do t’i shfrytëzojmë të gjitha argumentet juridike dhe presim që shtetet anëtare të BE-së të veprojnë sipas politikave të tyre evropiane”, ka deklaruar Deskoska duke lënë të hapur mundësinë që institucionet tjera të Hungarisë t’i anulojnë dhënien e azilit Gruevskit, por edhe një fakt tjetër që sipas saj bazohet në të drejtën e shtetësisë.

“Nëse vendimi për azil është bazuar në fakte të cilat nuk janë ashtu siç duhet të jenë, atëherë shteti ka të drejtë të tërheq vendimin apo ta anulojë. Nëse marrin parasysh ligjet hungareze, ata që fitojnë azil nëse në të njëjtën kohë nuk fitojnë edhe shtetësi hungareze apo vendqëndrim të përhershëm, vendimi për azil shqyrtohet me automatizëm në çdo tre vjet. Pra, nëse Gruevski nuk fiton shtetësi, azili i tij mund të shqyrtohet pas tre viteve”, ka deklaruar Deskoska duke hedhur poshtë arsyetimet e Gruevskit për kërcënime për jetën e tij, por edhe pretendimet tjera për pasiguri në Maqedoni.

Por, bazuar në një prononcim të ministrit hungarez të drejtësisë, Lazlo Troshani, të cilën e transmetojnë mediat në Shkup, ekstradim të Grueskit nuk do të ketë pasi ai veçmë ka fituar të drejtën e azilit në Hungari. Troshani në një intervistë për televizionin hungarez “Eho Tv” citohet të ketë thënë se “me atë që i është miratuar kërkesa për azil, Hungaria ka pranuar se Gruevski është viktimë e ndjekjes dhe se nuk mund të ekstradohet”.

“Të jemi të sinqertë, nëse ish kryeministri shkon në burg, sigurisht se nuk do ta ketë të lehtë”, ka deklaruar ministri hungarez i drejtësisë.

Por, pavarësisht kësaj, institucionet e Maqedonisë thonë se tashmë rasti me Gruevskin është problem edhe evropian pasi kur një vend anëtar i BE-së merr në mbrojtje një person të dënuar për shpërdorim të detyrës, atëherë paraqes problem serioz që vë në pikëpyetje sundimin e së drejtës në vet Bashkimin Evropian

“Ky është problem për Maqedoninë, por problem edhe për Bashkimin Evropian si dhe kredibilitetin e sundimit të së drejtës në Bashkimin Evropian..Gjykimi kundër tij ishte ndjekur nga OSBE-ja dhe përfaqësues të BE-së dhe asnjëherë nuk kemi pranuar ankesa. Edhe departamenti amerikan i shtetit procesin e kishte vlerësuar si fer dhe transparent. MPB-ja gjithashtu nuk kishte pranuar asnjë ankesë se ndaj tij ka kërcënime për jetën. Gruevski kishte gjashtë pjesëtarë të sigurimit të zgjedhur nga vet ai”, ka deklaruar Ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov.

Ndërkohë, pas arratisjes së ish kryeministrit dhe njoftimit të fitimit të drejtës së azilit politik, organet e rendit të martën në mbrëmje kanë arrestuar Sasho Mijallkovin, ish drejtorin e policisë sekrete, njëherit familjar i Nikolla Gruevskit, i cili gjithashtu po gjykohet në disa procese gjyqësore për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Në një njoftim të gjykatës themelore të Shkupit thuhet se arrestimi i Mijallkovit është bërë pas indikacioneve për arratisjen e tij të mundshme. Veç Mijallkovit, javën e kaluar janë arrestuar edhe dy ish zyrtarë të tjerë të lartë, Mile Janakievski, ish ministër i transportit dhe Kiril Bozhinovski, ish sekretar i qeverisë të cilët gjithashtu ishin bashkëpunëtor të afërt të ish kryeministrit, Nikolla Gruevski./rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat