Zaev: Amendamentet do të vlejnë vetëm nëse Greqia i plotëson obligimet e veta - Bota Sot
Zaev: Amendamentet do të vlejnë vetëm nëse Greqia i plotëson obligimet e veta

Maqedonia

Zaev: Amendamentet do të vlejnë vetëm nëse Greqia i plotëson obligimet e veta

Më: 2 dhjetor 2018 Në ora: 14:41
Zoran Zaev

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot në seancën e 64-ët debaton për tekstin e projekt amendamenteve XXXIII, XXXIV, XXXV dhe XXXVI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.

Kryeministri Zoran Zaev duke i elaboruar amendamentet, të cilat dalin prej Marrëveshjes së Prespës, tha se ato do të inkorporohen në Kushtetutë vetëm nëse Greqia e voton marrëveshjen dhe jep mbështetje për Protokollin për inkuadrim në NATO.

“Nëse Greqia nuk i plotëson kushtet e saj amendamentet nuk do të vlejnë”, tha Zaevi duke shtuar se kjo u kërkua nga opozita dhe se sot përsëri u përmend nga koordinatori i grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së.

Kryeministri bëri thirrje për inkluzion në proces dhe kërkoi deputetët ta mbështesin procesin në frymën e Marrëveshjes së Prespës, duke i ndjekur interesat e qytetarëve. Theksoi se ky vit si edhe viti i ardhshëm janë kyç për proceset tona eurointegruese dhe për të ardhmen e shtetit.

Tha se u qëndron angazhimeve të tij në emër të prosperitetit të të gjithë qytetarëve dhe vendit, se zgjidhjet politike duhet të vijnë edhe prej pushtetit edhe prej opozitës dhe të sillen vendime me inkluzion.

“Parlamenti ynë të shndërrohet në forum në të cilin përmes debatit të hapur konstruktiv do t’i plotësojë shpresat dhe pritjet e qytetarëve, në vend të hapësirës së ndarjeve, të shndërrohet në arenë garimi të ideve për artikulimin e solidaritetit politik për të ardhmen e RM-së, për mirëqenien e të gjithë qytetarëve të saj. Kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë se duhet të kontestohet natyra pluraliste e Kuvendit tonë. Absolutisht jo”, tha kryeministri.

Në emër të vlerave të përbashkëta dhe hyrjen në BE dhe në NATO, që është qëndrim i përbashkët edhe i pushtetit edhe i opozitës, sipas kryeministrit Zaev e kanë inicuar procesin për ndryshimet e domosdoshme të Kushtetutës me qëllim që Maqedonia të përgatitet për të ardhmen e saj prosperuese dhe të ardhmen për të cilën të gjithë ne kemi luftuar dhe ëndërrojmë për 27 vite.

“Kjo është mundësia e vetme për shtetin tonë. Burimi nuk mund të jetë dështim, suksesi nuk mund të jetë më i sigurt. Madhësinë e këtij procesi historik duhet ta mbartim të gjithë”, tha kryetari i Qeverisë.

Ai përsëriti se në nismën për ndryshimet e Kushtetutës së RM-së në pajtim me Marrëveshjen e Prespës nuk ka asgjë kontestuese, ndërsa Propozim-amendamentet e propozuara janë në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe me interesat e RM-së dhe perspektivat e saj në integrimet euroatlantike.

Zaevi u bëri replika deputetëve të opozitës të cilët dhanë kritika dhe vërejtje për procesin, që sipas tyre është jokushtetues dhe do të ndryshojë emri i shtetit. Lidhur me referendumin, Zaevi tha se ai është i suksesshëm, por vendimi nuk është marrë.

Sipas tij, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski ka premtuar se do të ndihmojë në këtë proces.

“Referendumi është i suksesshëm vendimi nuk është sjellë. Ndoshta VMRO-DPMNE do të vijë nesër në pushtet, çfarë më pas? Nuk ka asgjë, por do të sillet marrëveshja e njëjtë. Të mos e bllokojmë Maqedoninë. Mickoski, kryetari i juaj ka folur kudo se do ta ndihmojë këtë proces, nëse jo për tjetër pasi është për integrimin e Maqedonisë në BE dhe NATO. E kuptoj se jemi të ndryshëm, apeloj për konstruktivitet. Le të jenë fajtorë Zaev dhe Dimitrov të cilët e nënshkruan marrëveshjen, por le t’i mundësojmë shtetit anëtarësim në BE dhe NATO”, tha Zaevi.

Zekir Ramçilloviq nga grupi i pavarur i deputetëve të VMRO-DPMNE-së paralajmëroi se tetë deputetët me mbështetjen e së cilëve u hapën ndryshimet e Kushtetutës do të votojnë të përmbajtur për tri amendamente, duke e përkujtuar kryeministrin se procesi i ndryshimeve kushtetuese lidhur me procesin e pajtimit dhe të faljes.

VMRO-DPMNE në opozitë në fillim të seancës kërkoi që pika të tërhiqet nga rendi i ditës pasi propozimi, sipas koordinatorit të grupit të deputetëve Nikolla Micevski është kundërkushtetues, ndërsa referendumi ishte i pasuksesshëm. Propozimi i partisë opozitare me 61 vota kundër nuk u pranua nga shumica në pushtet.

“Përmes kësaj pike fshihet jo vetëm emri i Republikës së Maqedonisë por edhe historia dhe kultura e shtetit”, tha Micevski.

Përsëriti se përcaktim strategjik i VMRO-DPMNE-së ka qenë dhe do të jetë NATO dhe BE, por jo në këtë mënyrë.

Seanca plenare mund të zgjasë 12 ditë, pasi për çdo amendament është parashikuar debat prej  tre ditësh. Në këtë fazë të dytë për miratimin e amendamenteve nevojiten 61 vota. Megjithatë, pritjet sipas, Kryetarit të Kuvendit janë se seanca do të përfundojë më shpejtë.

Me amendamentin e parë parashihet në Kushtetutë fjalët “Republika e Maqedonisë” të zëvendësohen me fjalët “Republika e Maqedonisë së Veriut”, ndërsa fjala “Maqedoni” zëvendësohet me fjalët “Maqedonia e Veriut”, përveç në nenin 36, i cili e ka aspektin historik dhe ka të bëjë me “të drejtat e veçanta sociale të luftëtarëve të Luftës Antifashiste dhe prej të gjitha luftërave nacionalçlirimtare të Maqedonisë”.

Me të dytin intervenohet në Preambulën e Kushtetutës dhe fjalët “vendimet e KAÇKM-së” zëvendësohen me fjalët “Manifesti i Seancës së Parë të KAÇKM-së” dhe shtohet Marrëveshja e Ohrit.

Amendamenti i tretë thekson se “Republika e respekton sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë politike të shteteve fqinje”, ndërsa i katërti ka të bëjë me të zhvendosurit dhe në të parashihet se “Republika i mbron të drejtat dhe interesat e shtetasve të tyre të cilët jetojnë ose qëndrojnë jashtë vendit dhe i zhvillon lidhjet e tyre me atdheun ndërsa nuk do të përzihet në të drejtat sovrane të shteteve të tjera dhe në punët e tyre të brendshme”.

Në të njëjtën kohë me mbajtjen e seancës së sotme, para Kuvendit janë paralajmëruar protesta, ndërsa rreth Dhomës Ligjdhënëse ka forca të shtuara policore.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...