Nesër fillon debati publik për ndryshimet kushtetuese në Maqedoni

Maqedonia

Nesër fillon debati publik për ndryshimet kushtetuese në Maqedoni

Më: 4 dhjetor 2018 Në ora: 15:33
Kuvendi i Maqedonise

Të mërkurën fillon debati publik mbi propozim-amendamentet për ndryshimet kushtetuese. Në diskutimin e thirrur nga Qeveria pritet të marrin pjesë ekspertë, profesorë, përfaqësues të institucioneve dhe organizata joqeveritare.

Debati do të zgjasë 5 ditë, ndërsa do të mbahet kryesisht nëpër universitete publike. I pari do të mbahet në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup.

Ditë më parë, Kuvendi miratoi tekstet e draft-amendamenteve për ndryshimet kushtetuese. Pas debatit, vijon faza e mendimit ndaj propozim-amendamenteve. Për tekstin e amendamenteve, deputetët e përjashtuar nga OBRM-PDUKM-ja votuan të përmbajtur.

Kjo për arsye se presin që pas debatit publik të forcojnë argumentet dhe qëndrimet e tyre ndaj ndryshimeve kushtetuese. Argumentet pret t’i forcojë edhe opozita shqiptare e cila tashmë disa herë ka paralajmëruar se në fazën e fundit do të ndërhyjë me amendamente në çështjen e gjuhës shqipe dhe përpilimin e preambulës.

Derisa ndryshimeve kushtetuese po u afrohet fundi, trupi për pajtim dhe integrim akoma nuk ka rezultate konkrete. Mbledhja e caktuar u shty për arsye të vizitave të deputetëve jashtë vendit dhe një pjesë të deputetëve që u ftuan në Prokurori për krim të organizuar për të dëshmuar mbi zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryetar Kuvendi.

Deri në mesin e muajit dhjetor pritet zgjidhje ligjore për të akuzuarit për 27 prillin. Amnistia apo falja ashtu siç e quan kryeministri Zoran Zaev kushtëzon miratimin e ndryshimeve kushtetuese, të cilat pritet të votohen në gjysmën e dytë të muajit janar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat