Këshilli Drejtues i ShGM-së konfirmoi njëzëri kryetarin e ri

Maqedonia

Këshilli Drejtues i ShGM-së konfirmoi njëzëri kryetarin e ri

Më: 18 dhjetor 2018 Në ora: 11:51
ShGM

Këshilli Drejtues i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë dje mbajti mbledhje konstituive ku miratoi interpretimin autentik të dispozitave të Statutit të ShGM-së në lidhje me Kuvendin zgjedhor, sipas të cilit kryetari i Shoqatës Mlladen Çadikovski ishte zgjedhur në mënyrë legjitime me shumicën e votave të anëtarëve të rregullt të pranishëm gjatë votimit. Përveç kësaj, Këshilli konstatoi se gjatë mbajtjes së Kuvendit nuk është marrë asnjë ankesë në lidhje me procesin e votimit nga anëtarët e pranishëm ose nga anëtarët e Komisionit Verifikues dhe Komisionit Zgjedhor. Të gjitha palët që kanë ndonjë dyshim rreth procedurës së zgjedhjeve mund të përdorin mjetet juridike që i kanë në dispozicion.

Siç njoftojnë nga ShGM-ja, në mbledhjen konstituive të pranishëm ishin të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues dhe të gjitha vendimet u miratuan njëzëri. Vendimi për të konfirmuar legjitimitetin e zgjedhjes së kryetarit të ShGM-së është bërë me konsensus të të gjithë anëtarëve të KD, ndërsa kryetari Mlladen Çadikovski nuk ishte i përfshirë në votimin për këtë vendim. Gjatë mbledhjes Filana Koka ishte e propozuar dhe e zgjedhur njëzëri për zëvendës kryetare e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë.

Këshilli Drejtues bëri thirrje për konsolidimin e anëtarëve për të ruajtur dinjitetin dhe unitetin si parime kryesore për mbrojtjen e interesave të të gjithë anëtarëve të SHGM-së. Këshilli konstatoi se për të gjitha mendimet e ndryshme nevojitet forum i përforcuar për debate, duke pasur parasysh faktin se të dy kandidatët për kryetar programet e tyre i kishin të bazuar në përfshirjen sa më të madhe të anëtarëve në punën e Shoqatës nëpërmjet të seksioneve të propozuara. KD propozoi të diskutohet me të gjitha grupet e interesuara në esnafin dhe të formohen seksione që do t’i përfaqësojnë interesat e grupeve specifike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat