Hana Noka çon Mbretëreshën Teuta në Los Angelos

Mediale Vip

Hana Noka çon Mbretëreshën Teuta në Los Angelos

Më: 10 janar 2019 Në ora: 15:19
Hana Noka

Hana Noka, një emër aspak i panjohur për publikun e gjerë shqiptar, por tashmë dhe të huaj. Ajo është një ndër femrat më të bukura shqiptare ku deri më tani ka ngjitur shkallët e karrierës së saj si modele në pasarelat më të famshme në botë. Gjithnjë themi kur bukuria dhe zgjuarsia bëhen bashkë ka vetëm një emër ‘perfeksion’ dhe ky është rasti më i vërtetë e konkret ku me krenari kjo vajzë me një klas dhe sharm të lindur, por mbi gjitha e zgjuar e cila përfaqëson kaq denjësisht Shqipërinë kudo ajo merr pjesë nëpër eventet më të mëdha botërore të modes.

Hana, ka studiuar për Gazetari dhe Media Vizuale, në Irlandë. Ajo e ka treguar se e do këtë profesion, pasi vetëm disa ditë më parë ka sjellë në treg botimin e saj të parë “Besa Po”. Një libër, të cilin ajo e quan një projekt tepër ambicioz ku i është dashur kohë dhe vullnet për ta sjellë, ku ka shkëlqyer për penën e saj edhe si shkrimtare.

Libri flet për fakte historike ku përshkruan  historinë e Mbretëreshës Teutë. Hana, tregon se i është dashur dy vjet kohë ta përfundojë dhe është tepër e lumtur që mban firmën e saj ku siç shprehet vet ajo: Jam krenare t’i tregoj gjithë botës historinë e bukur të Mbretëreshës Teutë që nga dashuria, heroizmat, intrigat, por dhe triumfet. Hana, është mbesa e një prej historianeve të shquar shqiptar Prof. Dr Skender Rizaj.  Gjyshi ka qenë një ndër shtysat kryesore të këtij punimi thotë ajo, por mbi gjitha ndihet kaq e privilegjuar që është e mbesa e tij pasi gjatë jetës Hana ka mësuar dhe zbuluar libra e autorë, e këshillat e një njeriu të zgjuar si gjyshi i saj sigurisht që do të ndikonin dhe në formimin e saj.

Ajo flet me kaq dashuri për “Besa Po” tregon sekretin e femrave të forta edhe atëherë kur i duhet të përballen me frikën, stuhitë e jetës, gjithmonë duhet të dimë të ballafaqohemi me dhimbjet e jetës e me kokën lartë të ecim përpara. Hana është një vajzë e thjeshtë dhe me këmbë në tokë, ku nuk harron se virtytet e vlerat e njeriut janë më të rëndësishmet, vlera këto e cila i ka trashëguar nga nëna dhe gjyshja e saj ku i kanë folur gjithnjë për forcën e gruas. Të gjithë që duan ta blenë librin e saj  “Besa Po” e gjeni në gjuhën angleze dhe në platformën më të madhe në botë online ‘Amazon’ dhe në librarinë e njohur ‘Barnes dhe Noble’.

Hana, ka tri vjet e gjysmë që jeton në Los Angelos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ushtron dhe pasionin e saj për modelingun, por është dhe pjesë e revistave, eventeve, dhe shumë projekteve të njohura hullivudiane, vetëm dy ditë më parë ishte pjesë e eventit më të madh në botë “Golden Globes 2019″, ku bukuria e Hanës nuk mund t’i shpëtonte fotografëve botërorë, e cila tërheq për klasin dhe finesën e saj. Hana tregon se mbështetja më e madhe është pikërisht  bashkëshorti i saj Shkumbini, dhe flet me dashurinë më të madhe jo vetëm si bashkëshort, por dhe miku i saj më i shtrenjtë dhe i dashur.  Ndër të tjera Hana, thotë se: “Kurrë nuk ka ndierë asnjë dallim midis Prishtinës apo Tiranës, edhe pse ajo vetë vjen nga Prishtina dhe ka jetuar në disa vende të ndryshme të botës ndër vite, ajo përgjigjet se fizikisht ne mund të jetojmë në vende të ndryshme, por me shpirt e mendje ka vetëm një vend siç është Shqipëria dhe e ka për nder e krenari të jetë bijë shqiptare. Mesazhi më i vlefshëm që mund të përcillte për gratë është që të dinë të lundrojnë gjatë jetës pa frikë, pasi mes stuhisë do të mësoni të lundroni me anije ashtu siç lundronte heroina e librit ” Mbretëresha Teutë”.

Hana, ti je një ndër modelet më suksesshme shqiptare që emrin tënd ke arritur ta afirmosh në gjithë botën me bukurinë dhe zgjuarsinë. Sa i vështirë ka qenë ky rrugëtim për ty? 

Ju faleminderit shumë, po më bëni shumë nder. Çdo rrugëtim është i gjatë, disa mund të thonë edhe i mundimshëm mirëpo kur punon me kënaqësi, vullnet dhe entuziazëm, kur bën atë që do atëherë gjithçka është më e lehtë. Unë jam vetëm në fillimin e rrugëtimit tim  mendoj, dhe kam shumë për të bërë dhe arritur. Kam edhe shumë caqe tjera, por të ndalem nuk e kam ndërmend. Punë e përkushtim gjithnjë.

Për të gjithë ata që duan të dinë më shumë për Hanën, si e përshkruan veten? 

Gjithmonë e kam të vështirë të flas për veten, e di se kjo mund t’ju tingëllojë si klishe që e keni dëgjuar shumë herë, por ashtu ndihem. Mendoj se duhet të jemi të sinqertë, të dashur, të thjeshtë, punëtorë dhe të ndershëm dhe të kemi sens të humorit.  Mundohem edhe unë, të jetoj sipas këtyre vlerave, thotë Hana për dritare.

Keni mbaruar studimet e larta për gazetari, ndërkohë e ushtroni profesionin?

Kam mbaruar studimet për gazetari dhe media vizuale në “Griffith College” Dublin, Irlandë. Kam shumë respekt dhe dashuri për këto lëmi. Kam punuar në të kaluarën edhe si udhëheqëse emisioni në RTK, edhe si producente, por tani për tani nuk jam duke u marrë me gazetarinë për se, mirëpo mësimet dhe përvojën, sidomos nga aspekti i medieve vizuale i përdor thuajse në çdo aspekt të veprimtarisë time.

Keni sjellë në treg botimin tuaj të parë “Besa po” çfarë është ky projekt? – Si lindi ideja për të shkruar një libër kaq me vlerë?

Libri “Besa po” është një version i fiksionalizuar i bazuar në fakte historike. Përshkruan historinë e Mbretëreshës Teutë gjatë periudhës 231-227 (p.e.r). Është një roman që u dedikohet më shumë lexuesve të gjeneratave më të reja, të cilët në të do të gjejnë një rrëfim për dashuri, heroizëm, tradhti, intriga, por mbi të gjitha një rrëfim për triumfin e vullnetit njerëzor përballë sfidave gjigante. Libri është i shkruar në gjuhën angleze dhe më ka marrë afër dy vjet për ta përfunduar. Ideja për librin ka lindur ngase gjithmonë kam qenë e interesuar në tregimet rreth grave të fuqishme në histori, tregon Hana.

Ndoshta pse jam rritur nga një nënë dhe një gjyshe e fuqishme, nga të cilat kam mësuar shumë, kam mësuar të ballafaqohem me jetën pa frikë, të jem krenare edhe kur jeta sjell dhimbje, të mbaj kokën lart, të mos harroj nga vij dhe kush jam dhe gjithmonë të jam e vetëdijshme se secila femër është superheroinë në vete. Tregimin dhe legjendat rreth Mbretëreshës Teutë i kam dëgjuar së pari nga gjyshi i im, Prof. Dr. Skender Rizaj. Si historian që pas vetë ka mbi 200 libra dhe punime shkencore dhe si personalitet që ka respekt të veçantë ndaj gruas, më ka ndihmuar si këshilltari kryesor gjatë rrugëtimit tim disa vjeçar që ta shkruaj librin dhe t’ia tregoj mbarë botës këtë rrëfim të posaçëm e unik.

Ku mund ta gjejnë librin dhe në sa gjuhë? 

Siç e thashë edhe më lartë, libri është i shkruar në gjuhën angleze, me plan, besë e shpresë gjithnjë që në të ardhmen e afërt do ta përkthej së pari në gjuhën shqipe e pastaj të shqyrtoj mundësitë ta përkthej edhe në gjuhë tjera. Përndryshe librin mund ta gjeni  në dy platformat online më të mëdha të botës: Amazon dhe Barnes & Noble mes tjerash, tha Hana për dritare.net

Ti jeton në Los Angelos prej sa vitesh? 

Në Los Angelos jam që tri vjet e gjysmë.

Sa mbështetje ka qenë bashkëshorti yt në të gjitha projektet e tua? 

Bashkëshorti im, Shkumbini, është në të njëjtën kohë miku im më i afërt dhe më i shtrenjtë, është shembull unik si përkrahës. Në disa raste edhe bashkëpunojmë ngushtë sikurse në  filmin e shkurtë të modës “Hana” ku si producentë ekzekutiv i kemi marre tri nominime në Festivalin e Filmit të Modës, në La Jolla në korrik të 2018-ës.

Libri yt i preferuar?

Edhe këtu më duhet t’ju dëshpëroj ndoshta përsëri me një përgjigje stereotipike, mirëpo kam aq shumë autorë dhe libra të dashur saqë e kam të vështirë të veçoj vetëm një, dy apo tre. Por e gjitha mendoj se varet edhe nga mosha, edhe nga koha edhe nga disponimi. Ndonjëherë periudhat e gjata e komplekse të James Joyce, ndonjëherë fjalitë e shkurtra të Ernest Hemngëay-t, e ndonjëherë, për të parafrazuar Kunderën, lehtësinë e durueshme të Coelho-s.

A e mendon ndonjëherë rikthimin në Shqipëri për të jetuar?

Unë me origjinë jam nga Prishtina, mirëpo nuk bëj dallim në mes Prishtinës e Tiranës, Kosovës e Shqipërisë. Gjithë ai vend është Shqiptari. E edhe pse gjatë viteve kam jetuar në shtete të ndryshme të botës, nuk mendoj se ndonjëherë e kam lënë vendin tim. Mendoj se njeriu mund të jetojë jashtë vendlindjes vetëm fizikisht. Vendin tim e mbaj në mendje, shpirt dhe zemër gjithmonë, e kam shenjë nderi dhe krenarie, thotë Hana.

Çfarë mesazhi do të jepje për gjitha femrat?

Lundroni gjatë jetës pa frikë. Mos u frikësoni nga stuhia: gjatë stuhisë mëson si të lundrosh me anije, ashtu siç ka lundruar heroina e librit – Mbretëresha Teutë.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat