Flora Suldashi (Flora S), kreatorja që pushtoi pistat më të larta të modës në Gjermani

Mediale Vip

Flora Suldashi (Flora S), kreatorja që pushtoi pistat më të larta të modës në Gjermani

Nga: Gresa Bajraktari Më: 4 prill 2019 Në ora: 12:14
Kreatorja shqiptare Flora Suldashi

Është nga Prishtina, por prej vitesh ajo jeton në Hamburg të Gjermanisë, ku dhe po e zhvillon karrierën e saj si dizajnere dhe është bërë inspirim për shumë kompani ndërkombëtare të modës. Kreacionet e saj janë paraqitur edhe në “Miss Gjermania”. Bëhet fjalë për kreatoren shqiptare Flora Suldashi, që njihet si Flora S, e cila ka tejkaluar kufijtë shqiptarë dhe suksesi i saj ka depërtuar në gjithë vendet evropiane. Ajo ka bashkëpunuar edhe me Princeshën Elia Zaharia Zogu, për fustanet në dasmën e saj. Për fillimet e karrierës, sfidat, sukseset, inspirimin dhe bashkëpunimin me Princeshën, ajo është rrëfyer ekskluzivisht për gazetën “Bota sot”.

“Bota sot”: Na trego pak për fillimet e punës tuaj. Prej sa vitesh e bën këtë punë dhe a ke pasur vështirësi në fillim?

Flora Suldashi: Arti-fashioni si pasion më ka përcjellë gjatë gjithë jetës. Me këtë punë merrem prej shumë vitesh…, vështirësitë ekzistojnë gjithnjë, mirëpo bazuar në proverbin kinez “se nuk e humb rrugën, ai që e ndjek yllin e vet“ mendoj se ia kam arritur që të dalë mbi sipërfaqe…

“Bota sot”: Kur të ka lindur dëshira që të dizajnosh rroba dhe kush ka qenë shtytësi që këtë pasionin ta bësh profesion?

Flora Suldashi: Dëshira më ka lindur që në shkollën fillore, kur me kërshëri përcjellja punën kreative të nënës e cila me plot shije dhe elegancë krijonte fustane për veten dhe të tjerët ….më pastaj paralel me studimet në Universitet e kam zhvilluar si hobi, më vonë jam shkolluar edhe në Akademinë e Modës në Gjermani që të jem e lincencuar dhe e kam shndërruar si biznes dhe prioritet deri më tani.

Shtytësi mendoj se ka qenë VIZIONI im, ku unë e kam parë perspektivën e kthjellët dhe dritën në fund të tunelit.

Image

“Bota sot”: Jeni e suksesshme në Hamburg të Gjermanisë. A ka qenë e vështirë të depërtosh atje si shqiptare nga Kosova?

Flora Suldashi: Në Hamburg ndihem si në vendlindjen e dytë, është një metropol i madh që ofron shumë mundësi. Fillimi (në një vend të huaj) ka qenë paksa i vështirë, mirëpo për fat që në start më ka përcjellë „Aurora“ dhe kam depërtuar në shtresat e larta dhe më janë hapur shumë dyer…

“Bota sot”: Pse zgjodhe pikërisht Gjermaninë për të ushtruar profesionin që ke?

Flora Suldashi: Gjermania është shteti më i fuqishëm Evropian, njëkohësisht edhe shtet mik i yni. Këtu kam ardhur përkohësisht para se të ndodhë lufta tek ne, më përcjelli fat i mirë dhe mbeta deri sot, ndërsa si alternativë e kam pasur edhe Italinë.

“Bota sot”: Ku e merr inspirimin për dizajnet tua? A ke ndonjë dizajner të preferuar?

Flora Suldashi: Inspirimi zbret nga qielli…ndez zjarrin e brendshëm, pastaj me padurim fillon krijimi… Jam vetja, jam origjinale, nuk ndikohem.

Më ka fascinuar puna e Coco Channel, lufta e saj, revolucioni i saj në modë, ndërsa sot më pëlqen eleganca e pavdekshme e Armanit dhe ekstravaganca e lehtë e Donatella Versace.

Image
Vajzat në Miss Gjermania me veshjet e kreatores shqiptare Flora Suldashi (Flora S)

“Bota sot”: Keni veshur vajzat në Miss Gjermania. Si jeni ndjerë kur keni parë vajzat duke sfiluar me veshjet tuaja?

Flora Suldashi: Me „Miss Germany Corporation“ që është një korporatë e fuqishme me traditë 90 vjeçare, ka disa vite që bashkëpunoj, jam e lumtur që kam depërtuar në këtë rreth elitar që i njeh vlerat dhe ka primatin në showbiznes. Është kënaqësi e veçantë dhe privilegj kur sheh krijimet e tua që prezantohen nga vajzat e përzgjedhura nga e gjithë Gjermania, në një skenë gjigande të sponzorit gjeneral „EUROPAPARK“, para afër 2000 mysafirëve në sallë dhe një numri të madh të mediave gjermane.

Image
Princ Leka II dhe Elia Zaharia

“Bota sot”: Ju keni punuar fustanin e dasmës për Princeshën Elia, na trego pak për bashkëpunimin tënd me Princeshën Elia Zaharia Zogu?

Flora Suldashi: Martesa e Princ Lekës II me artisten Elia Zaharia ishte një ngjarje kombëtare. Ne të gjithë e vlerësuam si simbol të bashkimit kombëtar që do të ndodh në të ardhmen….pastaj, gjithë aristokracia evropiane dhe më gjerë - „gjakut blu“ zbriti atë ditë në Tiranë. Përgjegjësia ishte shumë e lartë, se si do të dukej Princesha Elia në këtë ditë historike, bukur, elegante por edhe të reflektojë identitetin e saj. Në një bashkëpunim të ngushtë dhe harmoni ne realizuam një fustan të bukur i cili mbeti në histori dhe ruhet nën emrin e brendit „Flora S“ në arkivën mbretërore shqiptare.

Më pastaj ne kemi vazhduar bashkëpunimin dhe do të vazhdojmë edhe në të ardhmen…

“Bota sot”: Sa mendon se do të kishte gjithë këtë sukses në tregun evropian, po të ishte në Kosovë dhe të zhvillojë këtu veprimtarinë?

Flora Suldashi: Ambiciet e njeriut shpesh kalojnë kufijtë e mundësisë, nuk dua të paragjykoj por depërtimi nga Kosova në tregun Evropian është shumë i vështirë, disa ndoshta arrijnë pika të shitjes (treg), mirëpo poenta qëndron në faktin se cilat nivele preken, d.m.th. secili publik. Të krijohet famë dhe emër është diçka tjetër, pikërisht këtu qëndron dallimi, sepse financat nuk janë art, financat janë numra ndërsa arti (fashioni) është fryma-shpirti, andaj tek arti, kultura, evropianët janë të ndjeshëm dhe nuk duan të ndikohen nga frymat dhe kulturat tjera….këtu qëndron nyja që neglizhon karrierën.

Image

“Bota sot”: A mendoni se keni arritur majat e suksesit apo synon edhe më shumë?

Flora Suldashi: Gjithmonë ekziston edhe një maje tjetër për ta pushtuar, për momentin ndihem mirë, por rruga vazhdon…

“Bota sot”: Cili është mesazhi yt për gjithë njerëzit që e duan artin/dizajnin dhe duan ta ushtrojnë profesionin e dizajnerit?

Flora Suldashi: Arti-dizajni është një profesion shumë i bukur që fisnikëron shpirtin dhe kthjellon mendjen, është ngushtë i lidhur me personalitetin e njeriut, ndërsa të ushtrohet si profesion dhe biznes në ditët e sotme është shumë i vështirë dhe i rëndë, varet nga shumë faktorë, nga ajo se sa investohet në kohë, energji, njohuri, talent, financa…Rruga deri tek suksesi është e gjatë.

Faleminderit gazeta kombëtare "BOTA SOT", suksese.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat